Lidhje

Evangjelistët e rinj i bashkohen Kishës së Re

  • Xherom Sokolovski

Evangjelistët e rinj i bashkohen Kishës së Re

Evangjelistët e rinj i bashkohen Kishës së Re

Në vitet 1980 dhe 1990, protestantët evangjelistë u grumbulluan në kisha të mëdha për shërbesa fetare duke predikuar me pasion konservatorizmin e tyre shoqëror dhe politik. Tani, një brez i ri evangjelistësh dhe të krishterësh të tjerë po kërkojnë një përvojë më personale me një ton të ndryshëm politik. Ata po grumbullohen në vende më intime, si kafenetë, dhe debatojnë edhe mbi doktrinat bazë të besimit të krishterë. Korrespondenti Jerome Socolovsky mori pjesë në një shërbesë në periferitë e Uashingtonit.

E djelë në mëngjes në kafenë Jammin Java në Viena të Virxhinias. Një grup njerëzish janë mbledhur mbrapa saj për t’u lutur. Kjo sigurisht që nuk është një kishë e zakonshme. Por është praktikë e re besimi që po rritet nga evangjelistët e krishterë dhe që quhet Kisha e Re.

Ky grup e quan veten Tryeza e Përbashkët. Anëtarët e tij janë kryesisht të rinj dhe shumë prej tyre janë në atë fazë të jetës kur fillojnë të krijojnë familje. Mike Stavlund është një nga organizatorët e Tryezës së Përbashkët.

"Njerëzit kërkojnë një lidhje personale me traditën kristiane. Duan t’i përkasin diçkaje, duan të ndjehen të lirë të kuptojnë dhe të keqkuptojnë".

Evangjelistët dhe fondamentalistë të tjerë e shohin biblën e krishterë si të vërtetën e mirëfilltë. Vetëm 25 vjet më parë, ata grumbulloheshin në kisha e shërbesa që mblidhnin mijëra njerëz. Kishat e mëdha kishin pastorë karizmatikë që predikonin me pasion mbi çështje si aborti dhe homoseksualiteti. Por Kisha e Re është një shkëputje prej saj. Askujt nuk i thuhet se çfarë duhet të besojë. Por ka diskutime. Këtë të djelë tema ishte të drejtat civile dhe udhëheqësi shpirtëror Amy Moffitt lexon një rrëfim anonim.

“Ajo që më lëndon është kur shoh njerëz rreth meje që mohojnë dhe nuk pranojnë se racismi ekziston”.

Mike Stavlund thotë se është e pranueshme të shtrosh pikëpyetje mbi çdo gjë – edhe mbi doktrinat më bazë të besimit kristian.

“Kjo do të thotë të mos gënjesh veten, kur ke dyshime të thuash se ke dyshime, kur beson ta pranosh, por mbi të gjitha duhet të pranosh çdo gjë tjetër. Në këtë kafene është një grup të rinjsh të vendosur për të gjetur një mënyrë të re për të praktikuar besimin e tyre”.

Një grua që drejton shërbesën është diçka që nuk e sheh në kishat e mëdha. Amy Moffitt thotë se politika e krahut të djathtë tërhoqi shumë njerëz këtu, larg nga kishat e mëdha.

“Politizimi i kishës ishte vërtet dekurajues. Struktura politike e këtij institucioni, të çon përfundimisht në luftën për pushtet dhe para. Kjo është shumë e rëndësishme për mua në Kishën e Re ku arrijmë ta mënjanojmë këtë prirje”.

Amerikanët e rinj po largohen gjithnjë e më shumë nga përkatësia tradicionale fetare. Një studim zbuloi se amerikanët mes moshës 18 dhe 29 vjeçare që nuk i përkasin ndonjë besimi janë dyfishuar gjatë dy dekadave të fundit.

Në prezantimin e këtij studimi, profesori i universitetit Notre Dame, David Campbell tha se lëvizja Kisha e Re mund të mos jetë ajo që tërheq të rinjtë.

Ashtu sikurse kishat e mëdha rikrijuan kuptimin e përkatësisë në një kishë dhe u dhanë njerëzve sensin e komunitetit në një periudhë kur institucionet e tjera civile po dështonin, do të ketë tani stile të tjera besimi si Kisha e Re apo ndonjë lëvizje tjetër që do t’i afrojë të rinjtë.

Ekspertët thonë se lëvizja e re mund t’i ndajë evangjelistët e Amerikës, por mund të jetë shpresa më e mirë për të tërhequr të rinjtë që nuk u pëlqen politika në fe – përsëri në kishë edhe në se ajo është pjesë e një kafeneje.

XS
SM
MD
LG