Lidhje

Beteja me Everestin


Një 80-vjeçar po përgatitet t’i ngjitet Malit Everest, majës më të lartë në botë. Yuichiro Miura synon t’i ngjitet Himalajave për herë të tretë në jetën e tij, në muajin maj. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike Richman na njeh me këtë japonez që ka shpirtin e aventurës:

Yuichiro Miura u ngjit në majën Everest në moshën 70 dhe 75-vjeçare. Ai do të përpiqet përsëri në muajin maj, në moshën 80-vjeçare. Në se ka sukses, ai do të vendosë një tjetër record, si njeriu më i moshuar që ngjitet në majën 8 mijë e 848-metra të lartë. Rekordi i ri, megjithatë nuk është ajo që e motivon atë. Në fakt ai është kurioz të dijë se si do t’i përballojë në këtë moshë temperaturat nën zero, ajrin e rralluar dhe nivelet ulëta të oksigjenit në Himalaje.

Miura beson se këto kushte, do t’i shtojnë 70 vjet moshës fizike të trupit të tij, kur të arrijë në majë të malit. Vajza e tij, Emili Miura, i tha Zërit të Amerikës se në këtë mënyrë, i ati do të ndjehet sikur të ishte 150 vjeç.

“Asnjë njeri nuk ka jetuar ndonjëherë kaq gjatë dhe ai është kurioz të dijë se si do të ishte po të jetoje kaq shumë. Babai im do të dijë se cili është kufiri, cilat janë mundësitë dhe potenciali i njerëzve.”

Ajo thotë se i ati jeton me moton se asgjë nuk është e pamundur.

“Ai thotë, se në se vendos një objektiv, ekzistojnë mundësi të pafund. Në se ndalesh, mbarojnë edhe mundësitë. Kjo është filozofia e tij.”

Ngjitja e Miurës është e frikshme për arsye të tjera, përveç moshës së tij. Ai ka bërë tre operacione në zemër vitet e fundit dhe ka thyer kockën e legenit dhe këmbën në një aksident me ski në vitin 2009. Megjithë moshën dhe problemet shëndetësore, vajza e tij Emili, thotë se ajo dhe familja e mbështesin plotësisht idenë e tij për t’u ngjitur në Everest.

Frits Vrijlandt, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare së Alpinizimit është ngjitur në Everest kur ishte 33 vjeç.

Vrijlandt thotë se ai nuk do t’'ia rekomandonte një 80-vjeçari ngjitjen në Everest. Edhe njerëzve më të rinj në moshë, në se nuk janë alpinistë të stërvitur, mund t’i bjerë të fikët dhe të vdesin brenda një ore, thotë ai.

“Nuk do të jetë kurrë e lehtë për të. Do të jetë e vështirë, por nuk e di shkallën e vështirësisë. Ajo që shpresoj është që ai të mund t’i mbijetojë këtij udhëtimi, sepse në moshën e tij dhe me tre operacione në zemër, nuk më duket shumë i shëndetshëm, por ndoshta ai mund të jetë njeri tepër i fortë… Ai është tepër i vendosur, pra le të shohim. Shpresoj për më të mirën.”

Yuichiro Miura është duke u stërvitur dhe vazhdon ngjitjet në Himalaje, deri në 5 mijë e 500 metra lartësi.

Gjatë ngjitjes muajin e ardhshëm, ai me ekipin do të provojnë një rrugë në anën jugperëndimore të Everestit, nga Nepali. Djali i tij 43-vjeçar, Gota Miura, një fotograf dhe një tjetër japonez me përvojë si alpinist, po ashtu synojnë të ngjiten në majë. Alpinistë të tjerë do të mbajnë pajisjet.

Grupit do t’i duhen 7 ditë për t’u ngjitur deri në majë. Emili Miura thotë se pas kësaj përpjekjeje, babai i saj mund të përpiqet t’i ngjitet përsëri Everestit. Yuichiro Miura, ka gjithmonë një synim dhe beson se njeriu mund të arrijë gjithçka.
XS
SM
MD
LG