Lidhje

Përpjekjet ruse për të përçarë Perëndimin


Analistë amerikanë dhe ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves thanë dje para një komisioni të Kongresit se Presidenti rus Vladimir Putin po bën çdo përpjekje për të minuar demokracinë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe për të dobësuar lidhjet e tyre ushtarake në mënyrë që të rrisë influencën ruse në botë.

Partia Demokrate i përmbahet bindjes së Rusia u përpoq të ndikonte tek zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016, një bindje që mbështetet edhe nga përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit.

"Këto veprime ishin sulm ndaj vendit tonë dhe nëse nuk japim një përgjigje efektive, Putini do të bëhet një kërcënim edhe më i madh për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë,” tha ligjvënësi demokrat Eliot Engel.

Gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti Donald Trump tha se donte të përmirësonte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë. Por republikanë të tjerë nuk janë aq entuziastë në këtë drejtim.

"Rusët nuk janë miqtë tanë. Ata kanë pushtuar Krimenë,” thotë udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Dje në seancën me pyetje-përgjigje në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, një analist tha se Moska po bën propagandë intensive për të minuar demokracinë në Perëndim si dhe për të dëmtuar aleancën ushtarake SHBA-Evropë.

"Kemi parë se Rusia ka testuar më parë shumë nga teknikat e propagandës që tani po i përdor në Perëndim. Këto koncepte dhe teknika i ka testuar më parë në Evropën Qendrore. Këto veprime që po bën tani nuk kanë asgjë të re. Por do të theksoja shpejtësinë dhe urgjencën me të cilën po evolojnë këto teknika,” thotë Peter Doran, analist në Qendrën për Politika Evropiane.

Analistët thonë se përhapja e lajmeve të sajuara synon të nxisë konflikte politike dhe të largojë vëmendjen nga Rusia.

Ish-presidenti estonez Toomas Hendrik Ilves tha në seancë se Rusia po përpiqet të ndikojë tek zgjedhjet në Francë, Gjermani dhe Holandë, ashtu siç veproi në Shtetet e Bashkuara.

“Holandezët janë aq të shqetësuar sa që kanë vendosur të rikthejnë fletëvotimet, pasi kanë frikë se mund të ndodhë diçka”.

Peter Eltsov i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes u jep të drejtë holandezëve që janë të shqetësuar:

"Rusia po përpiqet ta përçajë Bashkimin Evropian dhe NATO-n; asaj i intereson të mbështesë politikanë që mund të heqin në të ardhmen sanksionet kundër Moskës”.

Analisti thotë se Rusia po mbështet me fonde disa politikanë evropianë, ndër ta edhe kandidaten e ekstremit të djathtë francez, Marine le Pen.

"Ajo e admiron Putinin. Ajo ka në plan të njohë edhe aneksimin e Krimesë,” thotë zoti Eltsov.

Analisti thotë se Rusia po mbështet politikanë si të krahut të djathtë, ashtu edhe atij të majtë në Evropë në përpjekje për të sjellë përçarje.

Ekspertët u kanë bërë thirrje aleatëve amerikanë dhe evropianë të bashkëpunojnë më shumë për t’u prerë rrugën synimeve ruse.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG