Lidhje

Zgjedhjet parlamentare në Greqi


Në Greqi zhvillohen këtë javë zgjedhjet paralementare në një kohë që vendi vuan prej gjashtë vjetësh nga një recesion i thellë që e ka goditur rëndë ekonominë. Megjithë përpjekjet e pashembullta të Eurozonës për të mbështetur Greqinë në këtë situatë të vështirë, duke dhënë kredi me vlerë mbi 270 miliardë dollarë, problemi i borxhit grek mbetet i pazgjidhur. Anketat tregojnë se Partia e majtë Syriza pritet të korrë një fitore të qartë.

Kryeministri Samaras, mandati i të cilit duhet të mbaronte në vitin 2016, u detyrua të shpallte zgjedhje të parakohëshme kur partitë opozitare nuk mbështetën kandidatin e tij për president në një numër votimesh në parlament vjet.

“Krijimi i kushteve për riorganizime të panevojshme dhe ballafaqimi me Evropën kundër intresave kombëtare do të jenë veprimet më të këqija të mundshme në këtë kohë kur kemi filluar të dalim nga kriza. Ne do të dalim plotësisht nga kriza pa luhatje të tilla, pa absurditete të kësaj nayre”.

Partia Syriza ka zhvilluar fushatë intensive kundër politikave të Kryeministrit Antonis Samaras, me thirrjet që Eurozona t’i falë Greqisë gjysmën e borxhit që ka marrë që nga viti 2010.

Udhëheqësi karizmatik i Syrizës, 40-vjeçari Alexis Tsipras ka kërkuar zhvillimin e një konference të vendeve të Eurozonës me terma lehtësuese për Greqinë, të ngjashme me ato që u zbatuan për Gjermaninë pas Luftës II Botërore. Nikos Pappas është shefi i stafit të zotit Tsipras:

“Ka politika që nuk krijojnë deficite dhe nevojë për kredi të reja. Është e drejta juaj sovrane për t’i zbatuar ato. Ka çështje lidhur me marrëdhëniet e Greqisë me partnerët e saj që ne jemi të gatshëm t’i diskutojmë dhe të gjejmë një zgjidhje evropiane; çështja madhore në marrëdhëniet me partnerët tanë është borxhi”.

Popullariteti i partisë Syriza është një rezultat i vështirësive që ka sjellë kriza dhe masat shtrënguese të zbatuara nga autoritetet në Athinë. Gjashtë vitet e fundit kanë qenë tepër të vështira për Greqinë. Vendi ka papunësi në masën 25%; një pjesë e madhe e të papunëve nuk marrin asistencë dhe 3 milionë grekë nuk kanë sigurime shëndetësore.

Andreas Psychoulis instalon tavane të varura. Gjatë viteve të fundit kontratat e punës kanë qenë shumë më të ulëta dhe e kanë detyruar të shkurtojë shumë shpenzimet personale, madje të hyjë edhe në borxhe.

“Shpresoj se e zgjedhjet e reja do të ndryshojnë diçka për mirë dhe do të jem në gjendje të filloj të paguaj borxhet, pasi nuk më pëlqen qyli. Dua të paguaj, por nuk kam para”.

Bashkimi Evropian po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Greqi. Partnerët e kanë bërë të qartë se nuk duan tërheqjen e Greqisë nga Eurozona. Sipas analistëve në Athinë, edhe vetë Syriza nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG