Lidhje

Ndihma për emigrantët në Evropë


Gjatë takimit të djeshëm të G7-ës në Nju Jork, shtatë vendet më të industrializuara të botës premtuan të kontribuojnë 1.8 miliardë dollarë për agjensitë e OKB-së në ndihmë të krizës më të keqe të emigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Njoftimi u bë pas takimit të G7-ës gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Pjesëmarrës në takim ishin edhe udhëheqës të vendeve të Gjirit dhe të disa vendeve evropiane që po përballen me fluksin e personave të zhvendosur.

“Niveli i financimeve për këto organizata është shumë i ulët. Agjencisë së OKB-së për Refugjtët dhe Programit Botëror të Ushqimit u mungojnë 50-60% të fondeve. Në këto kushte, është detyra e komunitetit ndërkombëtar të mos e lërë situatën të përkeqësohet. Ne duhet të ndihmojmë organizatat humanitare dhe kështu të ndihmojmë edhe refugjatët,” tha Frank-Walter Steinmeier, minist​ë​r i jasht​ë​m i Japonis​ë​.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka njoftuar se vendi i tij do të japë 810 milionë dollarë për refugjatët nga Siria dhe Iraku, si dhe 750 milionë dollarë të tjera për rindërtimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

“Le t’i përballojmë sfidat së bashku nëpërmjet OKB-së. Le të kontribuojë çdo vend anëtar me aftësitë e tij të veçanta. Japonia mbështet tradicionalisht shtet-formimin në vende të ndryshme. Kemi eksperiencë në forcimin e burimeve njerëzore, në ndihma humanitare dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Tani më shumë se kurrë Japonia dëshiron ta ofrojë këtë eksperiencë pa u kursyer.”

Kombet e Bashkuara thonë se që nga janari rreth 515 mijë azilkërkues kanë kaluar Detin Mesdhe për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Rreth 383 mijë prej tyre kanë zbarkuar në brigjet e Greqisë, ndërsa 129 mijë në brigjet e Italisë.

Agjensia për refugjatët thotë se rreth 3 mijë janë mbytur ose zhdukur gjatë lundrimit me varka të vjetëruara dhe të mbingarkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, flet sot në dy takime të nivelit të lartë. Ai do të flasë gjatë diskutimeve të Këshillit të Sigurimit për konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore, zonat prej të cilave po largohen emigrantët. Në vijim, ai do të organizojë një takim të nivelit të lartë që do të synojë krijimin e një përgjigjeje globale ndaj fluksit të emigrantëve që po trondit Evropën.

XS
SM
MD
LG