Lidhje

Evropë, Debati mbi vetëvrasjen me asistencë

  • Lisa Bryant

Një ditë pasi ligjvënësit belgë miratuan një ligj historik për vetëvrasjen me asistencë për fëmijë me probleme të pashërueshme, gjykata e lartë e Francës shtyu një vendim mbi fatin e një 38-vjeçari në gjendje vegjetative. Këto vendime të ndryshme mbi një debat të ndezur për përfundimin e jetës janë bërë shkak përçarjesh në Evropë.

Gjykata e Kasacionit në Francë vendosi dje të kërkojë këshilla të mëtejshme mjekësore para se të marrë vendim mbi fatin e 38 vjeçarit Vincent Lambert, një kuadriplegjik që ka qenë në gjendje vegjetative që nga një aksident rrugor në 2008. Debati mbi fatin e tij ka përçarë jo vetëm familjen, por edhe vendin.

Dr. Eric Kariger, i cili kryeson pavionin e kujdesit terapik në spitalin që trajton Vincentin, e mirëpriti vendimin. Në një intervistë në radio, ai tha se një analyzë më e kujdesshme mjekësore mund të ndihmojë familjen e traumatizuar të pacientit. Ai shpreson se vendimi do të lejojë një vdekje me asistencë.

Mjekët e Vincentit dhe disa pjesëtarë të familjes mbështesin ndërprerjen e ushqimit të tij me tub, një veprim i ligjshëm në kushte shumë specifike në Francë, që do të sillte vdekjen e pacientit.

Në një intervistë televizive kohët e fundit, një nga motrat e Vincentit tha se do të ishte më humane që ai të vdiste pasi t’i ndërpritej ushqimi, se sa të mbahej gjallë në gjendje vegjetative.

Por prindërit e Vincentit, besimtarë katolikë, janë kundër çdo zgjidhjeje që çon në vdekjen e djalit.

Shtyrja e vendimit nga Gjykata franceze e Kasacionit dallon dukshëm nga Belgjika fqinje ku ligjvënësit votuan të enjten për ligjërimin e vdekjeve me asistencë për arsye humane në rastet e fëmijëve të sëmurë, por nën kushte të rrepta. Belgjika i pat legalizuar vetëvrasjet me asistencë që nga viti 2002, pak pas Holandës, vendi i parë në botë që miratoi masat për t’i dhënë fund jetës së një të sëmuri për arsye humane.

Ky debat është objekt përçarjesh në të gjithë Evropën. Luksenburgu lejon vdekje me asistencë për pacientët në moshë të rritur. Në Zvicër është e ligjshme vetëvrasja me asistencë nga personeli mjekësor. Por vende si Polonia i kundërshtojnë rreptë këto veprime.

Vetëvrasja me ndihmë pasive, për shembull duke i prerë pacientit ushqimin apo ujin përmes tubit, ose ilaçet, lejohet në Francë. Por nuk lejohet vetëvrasja me asistencë aktive, si për shembull përmes administrimit të substancave që i japin fund jetës së pacientit.

Muajin e kaluar presidenti francez Francois Hollande përsëriti premtimet për të paraqitur projekt-ligje për vetëvrasjen me asistencë. Ai tha se do të kërkojë mbështetje për projekt-ligje që do t’u japin mundësi pacientëve me sëmundje të pashërueshme të kërkojnë asistencë mjekësore për të kryer vetëvrasje nëse kanë vuajtje të papërballueshme fizike apo psikologjike.

Por Jean-Luc Romero, kreu i shoqatës ADMD, që mbështet të drejtën për vetëvrasje me asistencë, thotë se presidenti nuk po vepron me shpejtësinë e duhur. Ai tha për radion franceze se e drejta e vetëvrasjes me asistencë pasive i tremb shumë francezë pasi nënkupton një vdekje të ngadaltë si rezultat i mungesës së ujit dhe ushqimit. Anketat tregojnë se shumica e francezëve mbështesin vetëvrasjen me asistencë aktive.

Gjykata e Kasacionit do të marrë vendim mbi rastin e Vincent Lambertit brenda dy muajve të ardhshëm. Por debati i gjerë mbi bazën morale të vetëvrasjes me asistencë pritet të vazhdojë.
XS
SM
MD
LG