Lidhje

Belgjika dënon 45 militantë islamikë


Një gjykatë në Belgjikë ka dhënë dënime me burg për 45 anëtarë të një grupi islamik të cilët kishin organizuar udhëtime drejt Sirisë për të rinjtë që donin t’u bashkoheshin grupeve xhihadiste. Shumica e të dënuarve nuk ishin të pranishëm në gjykatë, pasi mendohet se po luftojnë ose janë vrarë në Siri. Ky është gjyqi i fundit në një seri dënimesh të qytetarëve evropianë të cilët u janë bashkuar grupeve terroriste në Siri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell në materialin në vazhdim i hedh një vështrim sukseseve dhe dështimeve të përpjekjeve për të frenuar shkuarjen në Siri që qytetarëve evropianë.

Grupi Sharia4Belgium, që tani është shpërbërë, akuzohet për dërgimin e dhjetëra të rinjve për të luftuar me organizata xhihadiste, përfshirë Shtetin Islamik.

Nën masa të forta sigurie në qytetin e Antverpit, gjyqtarët dënuan me 12 vjet burg udhëheqësin e grupit, Fouad Belkacem.

Dimitri Bontinck në vitin 2013 udhëtoi në Siri në përpjekje për të marrë djalin e tij Jejoen, të cilit të mërkurën iu shty masa e dënimit pasi ai kishte rënë dakord të dëshmonte për rastin. Zoti Bontinck kritikoi vendimin për t’i dhënë dënime të gjata me burg të rinjve të cilët ai thotë se janë 'mashtruar'.

"Ata po kriminalizohen dhe në këtë mënyrë ata kurrë nuk do të kthehen. Dhe me këto veprime ne krijojmë terren më të përshtatshëm për terroristët dhe më shumë urrejtje kundër Perëndimit".

Zyrtarët thonë se rreth 350 belgë kanë shkuar për të luftuar në Siri, numri më i lartë në Europë duke marrë parasysh numrin e banorëve të Belgjikës. Në përgjithësi, rreth 4 mijë evropianë mendohet të jenë bashkuar me grupet militante islamike.

Disa vende, përfshirë Britaninë, Francën dhe Spanjën, po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së pasaportave dhe shtetësisë për qytetarët e tyre që janë dënuar për bashkim me grupet terroriste. Shërbimet e sigurisë po kërkojnë më shumë kompetenca për survejimin e tyre. Ky është një ekuilibër delikat, thotë Sajjan Gohel i Fondacionit të Azi-Paqësorit në Londër.

"Autoritetet duhet të kenë mjetet për të ndaluar këtë fenomen. Por mbetet të shihet nëse ligjet e propozuara nga vende të ndryshme evropiane dhe perëndimore mund të zbatohen, sepse këtu bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe liritë civile".

Propozimet për të trajtuar çështjen e luftëtarëve të huaj mund të jenë kundërproduktive, thotë Steve Crawshaw i organizatës Amnesty International.

"Ato paraqesin një nivel kufizimi pa trajtuar krimet që janë kryer. Ne kemi nevojë për ligje që merren me krimet, dhe kodi penal tashmë e bënë këtë punë. Nuk duhet ta zgjerojmë atë pafundësisht, kjo është një qasje e gabuar".

Sajjan Gohel thotë se Perëndimi duhet të punojë për t’iu kundërvënë propagandës që tërheq të rinjtë myslimanë për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

"Ata duhet ta kuptojnë se ky grup vret më shumë myslimanë se sa njerëz të tjerë. Perëndimi duhet të bëjë më shumë për ta përcjellë këtë mesazh".

Luftëtarët kurdë, të mbështetur nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, muajin e kaluar rimorën nën kontroll qytetin e rëndësishëm sirian të Kobanit të cilin luftëtarët e Shetit Islamik po përpiqeshin ta pushtonin. Kjo humbje mund të ndihmojë në ndryshimin e perceptimit të pathyeshmërisë në mesin e luftëtarëve të huaj të mundshëm, thotë zoti Gohel.

"Ata dërguan shumë luftëtarë në Kobani, morën shumë goditje dhe përdorën shumë burime, por nuk arritën ta merrnin qytetin. Simbolikisht, kjo është një humbje shumë e rëndë për grupin. Por ata janë përpjekur ta maskojnë këtë humbje me publikimin e videove të pengjeve që ata kanë rrëmbyer".

Uashingtoni ka konfirmuar se pengu i fundit amerikan që mbahej nga Shteti Islamik, punonjësja humanitare Kayla Mueller, është vrarë, edhe pse ende nuk është e qartë se si u vra ajo. Analistët thonë se Shteti Islamik tani ka një numër të vogël pengjesh perëndimore.

XS
SM
MD
LG