Lidhje

Evropianët ndjekin me vëmendje protestat anti-qeveritare në botën arabe

  • Lisa Bryant

Evropianët ndjekin me vëmendje protestat anti-qeveritare në botën arabe

Evropianët ndjekin me vëmendje protestat anti-qeveritare në botën arabe

Pak muaj më parë, Evropa u trondit nga protesta masive kundër rritjes së çmimeve, papunësisë dhe masave shtrënguese. Demonstruesit mbushën rrugët e Greqisë, Irlandës, Portugalisë, Spanjës, Britanisë dhe Francës. Tani Evropa po ndjek protesta të reja në vende arabe si Tunizia, Algjeria dhe Egjipti, në anën tjetër të Detit Mesdhe.

Kreu i Institutit mbi Studimin e Prirjeve në Nju Jork, Gerald Celente, thotë se ato që po ndodhin në botën arabe kanë ndikime direkte në Evropë. Ai beson se arabët dhe evropianët kanë një shqetësim të përbashkët – ekonominë.

"Ata s’do të donin t’ia dinin nëse qeverisen nga një qeveri autokrate, nëse bëjnë para. Autokrate, diktatore apo demokratike qoftë qeveria, për njerëzit nuk ka rëndësi, për sa kohë që u ecin punët”.

Zoti Celente beson se protestat e 2010 në Evropë janë vetëm fillimi. Ai paralajmëron se demonstratat që kanë përfshirë Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme do të përhapen në Evropë.

Nuk ka dyshim që referencat ndaj protestave arabe janë të pranishme në Evropë. Dhjetëra mijëra serbë mbushën rrugët e Beogradit ditët e fundit në protesta kundër rritjes së çmimeve dhe papunësisë së lartë dhe me thirrjet për zgjedhje të parakohëshme. Një anëtar i opozitës serbe tha se protestat në Tunizi dhe Egjipt u dërguan të gjitha qeverive një mesazh që të dëgjojnë thirrjet e popullatës.

Në Itali, një grup hakerësh kompiuterikë, i quajtur “anonim” sulmoi faqen elektronike të qeverisë italiane në shenjë protestash ndaj politikave të saj. Ky sulm ishte i ngjashëm me ato të ndërmarrë në Egjipt dhe Tunizi.

Por Drejtori i Zyrës së Brukselit të Institutit Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Olivier Jehin nuk beson se Evropa do të ketë protesta të tjera masive.

"Mendoj se masat kryesore shtrënguese u morën që vjet. Ndoshta mund të ketë disa demonstrate të reja në disa vende, por pa pasur të njëjtin ndikim si në Afrikën Veriore, me përjashtim të ndoshta disa rasteve në Ballkan”.

Studiuesja Rime Allaf e institutit kërkimor Chatam House me seli në Londër, paralajmëron se është gabim të krahasohen protestat evropiane me ato arabe.

"Është e vërtetë që disa nga shkaqet e pakënaqësisë në Evropë janë të njëjta me ato në vendet arabe, por të mos harrojmë se një ndër shkaqet kryesore të pakënaqësisë që ushqen revoltat në botën arabe nuk është thjesht i karakterit ekonomik, por, ç’është më e rëndësishmja, ka karakter politik”.

Zonja Allaf thotë se sado të papërsosura qofshin demokracitë evropiane, ato nuk mohojnë të drejtën e fjalës siç veprojnë një numër qeverish autokratike arabe. Po ashtu ajo nuk beson pohimet e disa analistëve se bota arabe po përjeton një version unik të rrëzimit të komunizmit që përjetoi më parë Evropa Lindore.

"Rënia e Murit të Berlinit ishte rrëzimi i një ideologjie të tërë mbi të cilën mbështeteshin këto regjime. Kjo ideologji ishte komunizmi. Në botën arabe, këto 22 vende arabe nuk kanë një ideologji të vetme ku bazohen regjimet e tyre”.

Kritikë si zonja Allaf thonë se ndoshta ndikimi kryesor që protestat arabe do të kenë në Evropë do të jetë dështimi i politikave të jashtme të këtyre vendeve arabe.

"Këto qeveri pretendonin se mbështesnin demokracinë, por kur erdhi momenti i provës, nuk treguan vullnetin e duhur për t’i njohur të drejtat popullatës, të njëjtat të drejta që gëzojnë popullatat në Perëndim”.

Prandaj sot, thonë disa analistë, mësimi kryesor që Evropa mund të nxjerrë nga protestat në botën arabe është t’i kushtojë vëmendje thirrjeve të popullatës.

XS
SM
MD
LG