Lidhje

Pensionistët dhe ushtrimet fizike


Shëtitjet në natyrë, ngjitjet me litar, madje dhe vallëzimi zumba po shihen nga pensionistët britanikë si mënyra mjaft të mira për të qenë në formë gjatë vitit 2013. Ushtrimet fizike konsiderohen jetike për shëndetin e mendjes dhe të trupit jo vetëm për të rinjtë. Në Britani, ndërsa mosha mesatare e shoqërisë është gjithmonë në rritje, këshilla e një grupi të rëndësishëm bamirësie është që nuk është kurrë tepër vonë për të filluar.

Është një pasdite shumë e ftohtë në Londër, por në studion e argëtimit të kësaj qendre atmosfera po fillon të nxehet. Këtu mosha mesatare është mbi gjashtëdhjetë vjeç dhe aktivitetet e tilla po bëhen gjithnjë e më të pëlqyera në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Britaninë e Madhe, ku problemet që lidhen me mbipeshën i kushtojnë Shërbimit Shëndetësor Kombëtar rreth 5 miliardë dollarë në vit.

Sipas një studimi të Universitetit Southampton, "humbja e peshës tek të moshuarit mund të zvogëlojë rreziqet e diabetit, artritit, sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe përmirëson mirëqenien në përgjithësi". Studimi shton se edhe tek njerëzit e shëndetshëm aktiviteti fizik sjell përfitime të rëndësishme si forcimi i muskujve dhe shtimi i rezistencës fizike.

“Age UK”, shoqata bamirëse për të moshuarit më e madhe në Britani, organizon aktivitete të tilla për të bindur njerëzit mbi pesëdhjetë vjeç të jenë më aktivë.

Kryetarja e shërbimeve të mirëqenies, Emma Spragg, thotë se organizata po bëhet gjithnjë e më popullore.

"Mesazhi ynë është se nuk është kurrë tepër vonë. Ne kemi punuar me njerëz nga pesëdhjetë deri në mbi njëqind vjeç dhe e vërteta është që prej ushtrimeve fizike ka gjithmonë përfitime, pavarësisht se cila është mosha juaj. Nuk duhet menduar kurrë se është tepër vonë, edhe pse natyrisht këshillimi me mjekun është gjithmonë i rëndësishëm."

Shoqata Age UK punëson instruktorë fizikë në mbarë vendin për të përhapur programet e saj me ushtrime, duke argumentuar se obeziteti tek të moshuarit është një sëmundje komplekse që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në shoqërinë e sotme jo shumë aktive.

Të qenit aktivë në moshë të hershme e bën më të lehtë përballimin e ushtrimeve fizike në moshë më të vjetër, veçanërisht në qoftë se puna juaj ju bën të rrini ulur gjatë gjithë ditës.

Jose Stockman, një administratore e shërbimit civil në pension, është 79 vjeç dhe është ky aktivitet e ka bindur se ushtrimet ndikojnë shumë tek mirëqenia e njerëzve.

"Sigurisht që ndikon tek mirëqënia. Ushtrimet në grup më janë dukur gjithmonë shumë terapeutike, sidomos në qoftë se njerëzit kanë ndonjë problem të madh. Partneri im nuk jeton më tani, por kur përqëndrohem tek hapat dhe kur dëgjoj muzikën arrij të largoj pak trishtimin. Mendoj se është diçka shumë e mirë."

Inxhinieri në pension 78-vjeçar, Roy Paxman, është burri i vetëm në kursin e sotëm, por ai është mjaft i lumtur që rrethohet nga këto zonja.

"Është diçka vërtetë e rëndësishme, më bën të ndjehem i ri."

Organizata Age UK thotë se është e vështirë të bindësh burrat e moshuar për të marrë pjesë në kurse stërvitore.

"Mund të jetë një sfidë e vështirë të bindësh burrat për të marrë pjesë dhe ne kemi një disa programe këtu në Britani që i drejtohen në mënyrë specifike burrave të moshuar. Meshkujt në përgjithësi kanë prirje të ngurrojnë paksa kur bëhet fjalë për të folur për ushtrimet fizike dhe për shëndetin e tyre."

Gratë nuk duken shumë të habitura nga ky fakt. Disa prej tyre besojnë se kjo ndodh për shkak se burrave shpesh nuk u pëlqen të provojnë aktivitete të reja.

"Mendoj se është diçka e vështirë. Roy sot është i vetmi mashkull këtu, edhe pse kishim edhe një tjetër më parë. Por ai hoqi dorë, pasi thjesht nuk donte të shpenzonte kohë për të mësuar. Mendoj se zakonisht ata shqetësohen se mund të duken qesharakë."

Është diçka e këndshme dhe argëtuese, por të gjithë këtu e dinë se kryerja e ushtrimeve është diçka serioze, veçanërisht në qoftë se ata duan të mos përjetojnë problemet e moshës.

XS
SM
MD
LG