Lidhje

Zhvlerësimi i euros dhe ekonomia shqiptare


Dollari amerikan po forcohet në tregun shqiptar, ndërsa euro nuk po bie si në eurozonë, dhe kjo tregon pafuqinë e lekut, monedhës vendase. Studiuesit e ekonomisë pohojnë se kërkesa për euro është në rritje, ndërsa remitancat po pakësohen, ndaj euro nuk po zhvlerësohet, por rënia e saj do të vijë shpejt. Sipas tyre, bizneset shqiptare duhet të shtojnë prodhimin, ndërsa autoritetet të lehtësojnë barrën fiskale dhe pengesa të tjera ndaj tyre.

Profesori i Universitetit të Tiranës, Arben Malaj, thotë se Banka Qendrore Europiane vendosi të hedhë në treg një sasi të madhe eurosh, por suksesi i kësaj mase varet nga reformat, që do të ndërmarrin vendet. Zhvlerësimi i përkohshëm i euros u bë për të gjetur financime me kosto të ulët, por pasi janë siguruar financimet, duhet të rritet prodhimi.

Zhvlerësimi i euro dhe inflacioni i ulët mund të kthehen në burime zhvillimi për ekonominë shqiptare, pohojnë studiuesit. Vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të hedhur në treg në 19 muaj mbi 1 mijë miliardë euro, u mor për të nxitur dinamikën e zhvillimit të ekonomisë në eurozonë. “Kjo sjell likuiditet, rritje ekonomike dhe shmang deflasionin - thotë profesori i Universitetit Europian të Tiranës, prof. Ardian Civici, - dhe Shqipëria preket më shumë pozitivisht nga kjo masë europiane”.

Rivlerësimi i dollarit mund të sjellë efekte pozitive tek eksportuesit, por godet importet dhe ata që kanë kredi në dollarë. Prof. Arben Malaj thotë se Banka qendrore e Shqipërisë nuk ka hapësirë për të ndërhyrë, por kompanitë shqiptare kanë shumë mundësi për të përmirësuar punën e tyre.

Studiuesit pohojnë se mbi 35 për qind e ekonomisë shqiptare është euroizuar, shumica e blerjeve të mëdha bëhen me euro. Mbi 70 për qind e qytetarëve kanë marrë kredi në euro, por pagat i marrin lekë, ndaj një euro më e dobët, do të shtojë blerjet, do të lehtësojë kreditë e këqija dhe kostot e borxheve private e shtetërore.

Zhvlerësimi i euros është një politikë e qëllimshme e eurozonës, sepse ekonomia europiane vazhdon të mbetet problematike. Parashikimet për rritjen janë pesimiste, ndërsa inflacioni është në kufijtë minimale dhe në prag të deflacionit. Në këtë një vit e gjysmë Shqipëria mund të përfitojë investime, të rritë ekonominë dhe prodhimin vendas.

Deri tani Shqipëria shihet si pjesë e murit rrethues të eurozonës, thonë studiuesit, por BE e ka kuptuar se bashkëpunimi më i madh me Europën juglindore është një mundësi e madhe zhvillimi për të dyja palët.

XS
SM
MD
LG