Lidhje

Rreziku i varfërisë ekstreme


Dalja nga varfëria ekstreme dhe qëndrimi larg saj - mund të jetë shumë e vështirë. Një raport i ri paralajmëron se rreth një miliard njerëz rrezikojnë të bien në varfëri ekstreme deri në vitin 2030 nëse nuk bëhet më shumë për t’i mbështetur ata në kohë të vështira.

Papunësia, shëndeti i dobët, çmimet e larta ushqimore, konfliktet dhe katastrofat natyrore – këto janë disa nga faktorët që mund t’i çojnë njerëzit të jetojnë nën nivelin e varfërisë, që llogaritet me të ardhura nën 1.25 dollarë në ditë.

Instituti për Zhvillimet e Huaja dhe Rrjeti Këshillues për Varfërinë Kronike publikuan raportin e tretë mbi këtë temë. Drejtuesi i rrjetit Andrew Shepard – autori i studimit – paralajmëron se varfëria po troket.


Njerëzit bien në varfëri dhe shpëtojnë prej saj. Por edhe kur del prej saj, rreziku I kthimit aty përsëri egziston.


Ai thotë se ka tre çështje të varfërisë që duhen zgjidhur.

Mund të kesh qënë i varfër gjithë jetën. Dhe politikat në përgjithësi nuk e trajtojnë këtë problem si duhet. Por mund të mos kesh qënë i varfër dhe mund të biesh në varfëri. Politikat kanë filluar të merren me këtë problem pak më mirë sesa 10 vjet më parë, por ka ende shumë punë për t’u bërë, veçanërisht në Afrikë dhe gjithashtu në Azi. Dhe kur i shpëton varfërisë duhet të vazhdosh t’i ngjitesh trajektores. Duhet të qëndrosh larg varfërisë pët të mos u kthyer përsëri në të.


Llogaritet se pati 1.2-miliardë njerëz në varfëri ekstreme në vitin 2010. Kjo është një ulje prej 700-milionë vetë që nga viti 1990. Zoti Shepard thotë se ky është lajm i mire, por kjo tendencë mund të mos vazhdojë.

Njerëzit që janë kronikisht të varfër, janë të varfër gjatë gjithë jetës së tyre për disa arsye dhe këto arsye mund të jenë mjaft të vështira për t’u trajtuar. Për shembull, ata mund të diskriminohen. Dhe disa vende kanë tani politika të mira kundër diskriminimit, por shumë të tjera nuk kanë apo nuk i zbatojnë ato.

Zoti Shepard thotë se arsyeja më e shpeshtë e rënies nën nivelin e varfërisë është shëndeti i dobët.

Raporti rekomandon tre përqasje për të arritur atë që e quan varfëria zero.

E para nga këto është të sigurohet një lloj ndihme në të holla - transferime në para ose një garanci punësimi. Diçka e cila ofron një rrjet sigurie. Gjëja e dytë është një investim masiv në arsim, sepse arsimi funksionon për të ndihmuar njerëzit të dalin nga varfëria - për t'i mbajtur në drejtimin e duhur.


Hapi i tretë për të ulur varfërinë quhet “rritje ekonomike për të varfërit” .

Duhen vende pune, natyrisht. Dhe këto punë mund të jenë në bujqësi, apo në fusha të tjera, por ato gjithashtu duhet të jenë të mira. Duhet të paguajnë një lloj page minimale. Kjo mund të mbështetet nga një garanci punësimi. Dhe punët duhet të japin mbështjetje shëndetësore dhe të sigurisë.

Raporti u bën thirrje të gjitha vendeve që të ketë mbulim universal shëndetësor dhe menaxhim të mirë të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.


Çështja e varfërisë kronike pritet të trajtohet ndërsa komuniteti ndërkombëtar vendos se si do të zëvendësojë agjencinë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit vitin e ardhshëm.

Tetorin e kaluar, Banka Botërore raportoi se numri i njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme ka rënë ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit. Por ajo paralajmëroi se rreth 400 milionë fëmijë vazhdojnë të jetojnë në kushte shumë të këqija. Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim tha se synimi për t’i dhënë fund varfërisë dhe rritja e prosperitetit të përbashkët mund të arrihet, vetëm nëse kombet "punojnë së bashku me urgjencë të re." Këto përpjekje, tha ai, duhet të përfshijë arsimin dhe kujdesin shëndetësor për fëmijët.
XS
SM
MD
LG