Lidhje

Takim mbi ekstremizmin e dhunshëm


Presidenti Obama do të kryesojë këto ditë një takim të nivelit të lartë me drejtues të forcave të rendit, udhëheqës fetarë dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar mënyrat për të luftuar ekstremizmin. Pjesë e kësaj nisme do të jetë edhe një takim në Departamentin e Shtetit ditën e enjte me ministra rendi të vendeve të tjera, në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër ekstremizmit. Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen nga minsitrat e brendshëm, Saimir Tahiri dhe Skënder Hyseni. Takimi i Shtëpisë së Bardhë për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm do të shqyrtojë përpjekjet në vend dhe në shkallë ndërkombëtare për t’i prerë rrugën radikalizmit dhe rekrutimit të të rinjve nga Amerika dhe vende të tjera për misione ekstremiste.

Sulmet terroriste të janarit në Paris rizgjuan shqetësimet për ekstremizmin e dhunshëm duke nxitur Presidentin Obama të organizojë një takim ndërkombëtar të nivelit të lartë mbi këtë temë.

Synimi është të goditen rrënjët e ekstremizmit dhe të identifikohen mënyrat për të mos lejuar të rinjtë të bashkohen me grupe ekstremiste si Shteti Islamik.

Në deklaratat e fundit kundër ekstremizmit, presidenti nuk ka përmendur fenë islame, por është ndalur tek mungesa e tolerancës fetare si shkaktare e problemit.

“Një ndër kundërpërgjigjet më të mira ndaj ideologjive të urrejtjes që përpiqen për të rekrutuar dhe radikalizuar të tjerët, është vetë shembulli ynë si shoqëri të larmishme dhe tolerante që mirëpresim kontributin e çdokujt, nga çdo fe”, thotë Presidenti amerikan Barack Obama.

Në disa raste, ky vizion duket se është më në rrezik në lagjet amerikane të përfshira nga dhuna e bandave kriminale.

Kjo video e vënë në YouTube dhe më pas e shpërndarë nga FBI-ja ku shihet një anëtar i ISIS i cili flet me aksentin amerikan, është dëshmi e shqetësimit në rritje të zyrtarëve amerikanë se të rinj të margjinalizuar mund të ndikohen nga përpjekjet e ekstremistëve për rekrutim.

Lufta kundër bandave kriminale nga forcat e rendit si Departamenti i Policisë në Los Anxhelos, po ofrojnë modelin e punës për të ndalur radikalizimin e të rinjve amerikanë. Zyrtarë të forcave të rendit nga Los Anxhelos dhe qytete të tjera do të marrin pjesë në diskutim.

“Në disa zona në vend, zyrtarët e rendit kanë bashkëpunuar me sukses me figura udhëheqëse në komunitete, shumë prej të cilëve në komunitetet myslimane, për t’iu kundërvënë përpjekjeve për radikalizimin e të rinjve. Ky forum do të ofrojë mundësinë që presidenti t’i diskutojë këto përpjekje me udhëheqës lokalë dhe drejtues të forcave të rendit nga i gjithë vendi, në mënyrë që të identifikohen praktikat më të mira për komunitetet”, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Por kritikët thonë se tema është shumë e gjerë dhe sfidat janë aq komplekse sa që do të jetë e vështirë të dilet me programe efektive për t’iu kundërvënë shkaqeve të ekstremizmit.

Analisti i çështjeve të sigurisë Philip Lohaus thotë se diskutimi i ekstremizmit islamik do të bëhet domosdoshmëri:

“Është e rëndësishme që të kemi një fokus të qartë. Jam dakord që duhet të përqëndrohen tek mekanizmat dhe arsyet që i shtyjnë njerëzit të përqafojnë ekstremizmin islamik dhe jo thjesht ekstremizmin e gjerë. Është një hap i mirë fillestar dhe ndoshta do të pasohet nga diskutime të tjera që përqëndrohen tek ekstremizmi islamik”.

Ky është takimi i parë i këtij lloji dhe ka gjasa të jetë kapitulli i parë i një diskutimi të gjerë e të rëndësishëm.

XS
SM
MD
LG