Lidhje

Facebook në qendër të një debati për shprehjen e lirë


Facebook është vënë në qendër të një debati për shprehjen e lirë, ndërsa përpiqet të përcaktojë se cilat video, që tregojnë pamje të rënda ekzekutimesh, si ato me prerje koke, mund të lejohen të vihen në rrjetin social.

Facebook, me mbi një miliardë përdorues, i ndaloi këto video në muajin maj nën arësyetimin se ato dëmtonin psikologjikisht shumë prej përdoruesve të rinj. Por kohët e fundit ndryshoi qëndrim, duke thënë se përdoruesit mund të ndanin me njeri tjetrin lajme rreth ngjarjeve në botë, përfshirë sulme terroriste dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Por menjëherë sapo bëri të ditur ndryshimin e rregullave, Facebook u vu në qendër të kritikave rreth një videoje që tregonte pamje të rënda të një gruaje, që i pritet koka nga grupet e drogës në Meksikë.

Kryeministri britanik David Cameron iu bashkua kritikave duke thënë se Facebook po tregohej një kompani e papërgjegjshme duke lejuar vendosjen e këtyre videove të rënda, sidomos pa vënë ndonjë njoftim se pamjet mund të jenë të papërshtatshme për disa shikues.

Të martën Facebook e hoqi videon nga rrjeti dhe u përpoq të sqarojë qëndrimin e kompanisë duke thënë se vënia e këtyre videove është e pranueshme vetëm në se ato janë në interes të publikut, kur përdoruesit i dënojnë akte të tilla.

Facebook tha se do të vazhdojë t’i ndalojë videot që vihen “për kënaqësi sadistike ose për të himnizuar dhunën”.
XS
SM
MD
LG