Lidhje

Themeluesi i Facebook-ut Zuckerberg u martua me të dashurën e tij Priscilla Chan


Themeluesi i Facebook-ut Mark Zuckerberg u martua dje me të dashurën e tij Priscilla Chan. Ai shfrytëzoi shpikjen e tij, Facebook, për ta njoftuar publikisht këtë fakt.

Miliarderi 28-vjeçar u martua me të dashurën 27-vjeçare në një ceremoni të vogël në Palo Alto ku jeton, një ditë pasi aksionet e kompanisë së tij dolën për shitje publike në bursë.

Të ftuarit kishin shkuar për të marrë pjesë në një pritje të organizuar nga çifti me rastin e diplomimit të Priscilla Chanit pas përfundimit të studimeve në mjekësi. Ata u gjendën të papërgatitur kur mësuan se ishin ftuar për të marrë pjesë në dasmë.

Zuckerberg dhe Chan u takuan gjatë studimeve në Harvard, para se Zuckerberg të shpikte Facebook-un në dhomën e konviktit tetë vjet më parë. Mbrëmë, Mark Zuckerberg e kishte ndryshuar statusin në Facebook, duke shkruar se ishte tashmë “i martuar me Priscilla Chan”.

Çifti thotë se data e dasmës ishte caktuar kohë më parë për të pasuar diplomimin e Priscillës dhe nuk kishte lidhje me futjen në bursë të Facebook-ut.

XS
SM
MD
LG