Lidhje

Faizal Shahzad - i akuzuari për makinën bombë në Tajms Skuer të Nju Jorkut

  • Carolyn Pressuti

Faizal Shahzad - i akuzuari për makinën bombë në Tajms Skuer të Nju Jorkut

Faizal Shahzad - i akuzuari për makinën bombë në Tajms Skuer të Nju Jorkut

Zyrtarët amerikanë thonë se pakistanezo-amerikani i akuzuar për aksionin e dështuar me makinën bombë në qytetin e Nju Jorkut po bashkëpunon me hetuesit, ndërkohë që ata përpiqen të përcaktojnë motivin e sulmit të planifikuar. Faizal Shahzad u arrestua të hënën në mbrëmje dhe ndaj tij u ngritën akuza se ishte përpjekur të hidhte në erë një makinë sportive në Tajms Skuer të shtunën. Ndërkohë, autoritetet në Pakistan thonë se kanë bërë disa arrestime në lidhje me sulmin e dështuar me makinë bombë.

Personi i akuzuar për disa vepra terrorizmi u lind në këtë fshat të vogël veriperëndimor të njohur si Mohib Banda. Babai i Faizal Shahzad, tani në pension, ka qenë zëvendës marshall i forcave ajrore në ushtrinë pakistaneze. Ai vjen nga një familje e shtresës së pasur. Fqinjët në këtë fshat prej 5 mijë banorësh janë prekur nga njoftimet.

“Më vjen keq për fshatin. Më vjen keq për familjen. Çfarë po ndodh?”

Disa analistë thonë se pakënaqësia është rritur tek shtresa e mesme e popullsisë pakistaneze për shkak të kufizimeve të vizave amerikane dhe kontrolleve më të rrepta pas përpjekjeve të fundit për sulme me bomba. Faiz Ahmed thotë se e njeh Shahzadin.

“Ai ishte njeri fare normal. Nuk kishte lidhje me parti fetare apo politike.”

Por policia thotë se Shahzad, i cili tani është shtetas amerikan, e ka pranuar rolin e tij në vënien e makinës bombë në Tajms Skuer të shtunën, dhe se ka marrë mësime për prodhimin e bombave në Pakistan.

Fillimisht, grupi pakistanez Tehrik-e-Taliban e mori përgjegjësinë për sulmin e mbetur në tentativë. Grupi, i cili vepron në kufi me Afganistanin ka pasur në shenjestër qeverinë pakistanez dhe jo Shtetet e Bashkuara. Por tani, ekspertët e anti-terrorizmit shqetësohen se veprimtaritë e këtij grupi mund të jenë më të gjera.

“Ky është tregues i qartë që grupi është lidhur shumë me al-Kaidën dhe po përpiqet të sulmojë jashtë vendit.”

Ekspertë të tjerë nuk besojnë se Talibani në Pakistan ka burime të mjaftueshme për një akt të tillë. Ata mendojnë se Shahzad mund të ketë vepruar i vetëm në vendosjen e makinës së tij të mbushur me eksplozivë në Tajms Skuer. Përpjekja për sulm terrorist ndodh në një kohë jo të përshtatshme për marrëdhëniet SHBA-Pakistan. Analistët thonë se dy vendet kishin filluar të bënin përparim në luftën kundër Talibanit. Ambasadori amerikan u takua dje me zyrtarë të lartë pakistanezë, përfshirë presidentin Asif Ali Zardari.

“Ata e dinë, ashtu si ne, se kjo është përgjegjësi dhe kërcënim i përbashkët.”

Por Shahzaf gati arriti të ikte. 30-vjeçari pakistanezo-amerikan ndodhej në aeroplan për në Dubai kur pilotët dëgjuan një mesazh nga Kontrolli i Trafikut Ajror:

Agjentët federalë ndaluan fluturimin dhe morën Shahzadin, i cili arriti të hipte në aeroplan pavarësisht se ishte futur në listën e personave të kërkuar pak orë para fluturimit. Tani, qeveria amerikane po ndryshon rregullat për t’u kërkuar kompanive ajrore të kontrollojnë listat e personave të kërkuar brenda dy orësh pasi janë njoftuar për ndryshimet. Ligjvënësit në kongres po shqyrtojnë masa ligjore për të mos lejuar terroristët e dyshuar të blejnë armë të lëndë plasëse.

“Nuk duam t’ua heqim njerëzve të drejtën kushtetuese, por ngjanjëherë nëse gabojmë në përpjekjet e mbrojtjes, ky është një hap që duhet marrë.”

Paraqitja e parë e Shahzadit në një gjykatë amerikane u shty. Zyrtarët e rendit thonë se ai po merret në pyetje dhe se ai po u jep atyre shumë informacione.

XS
SM
MD
LG