Lidhje

"Falja e gjakut", regjisorët tregojnë përvojën e tyre në realizimin e filmit

  • Ilir Ikonomi

"Falja e gjakut", regjisorët tregojnë përvojën e tyre në realizimin e filmit

"Falja e gjakut", regjisorët tregojnë përvojën e tyre në realizimin e filmit

Në shkurt të këtij viti, në festivalin e Berlinit, regjisori amerikan, Joshua Marston dhe bashkëpunëtori i tij, Andamion Murataj fituan çmimin e skenarit më të mirë për filmin "Falja e gjakut", i cili e merr temën nga gjakmarrja në Shqipëri. Para pak ditësh ne i morëm atyre disa komente mbi atë që dy kineastët përjetuan në realizimin e këtij filmi.



Joshua Marston: Ishte hera e parë që punoja për një film shqiptar. Ishte një zbulim i papritur për mua. Bëmë shumë kërkime dhe u pritëm shumë mirë në Shqipëri. Skenari kishte një zë të fuqishëm shqiptar dhe kjo ishte e rëndësishme. Punova së bashku me Andamion Muratajn, patëm shumë debate të ashpra me njëri-tjetrin por edhe shumë të qeshura dhe arritëm të bëjmë një skenar, i cili pasqyron atë që po ndodh sot me të rinjtë në Shqipëri, sidomos me të rinjtë adoleshentë në veri, ku disa prej tyre jetojnë në izolim për shkak të gjakmarrjes.

Andamion Murataj: Ne u njohëm në Nju Jork ku biseduam për këtë projekt. Pastaj vizituam Shqipërinë për të studiuar projektin tonë. Takuam shumë të rinj, udhëtuam në të gjithë vendin sepse ky nuk është një subjekt që i takon vetëm veriut por flet për të gjithë shqiptarët. Kjo ka të bëjë me zgjidhjen e konflikteve, pra se si mund të zgjidhen konfliktet brenda familjes dhe ato brenda komunitetit. Ka të bëjë me marrëdhëniet e të rinjve me traditën. Mundëm të takojmë njerëz të të gjithë brezave, të të gjitha palëve të përfshira në konflikt. Ky është një film që u flet në radhë të parë shqiptarëve, me mentalitetin e tyre dhe në gjuhën e tyre. Jemi shumë krenar për këtë film. Dhe kështu, u paraqitëm me një skenar dhe me një film që foli shqip në Berlin dhe që i preku njerëzit. Kur filmi u shfaq, shumë njerëz u mallëngjyen ashtu si edhe vetë ne. Pra është një film që flet për të rinjtë shqiptarë në ditët tona.

Joshua Marston: Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte shpresa dhe trimëria që tregojnë të rinjtë shqiptarë sot. Të gjithë janë të përqendruar te gjëra të tilla si interneti, Facebook, YouTube, të gjithë mendojnë si të bëjnë biznes, si të studiojnë jashtë e të sjellin para. Kjo është një periudhë mjaft dinamike në Shqipëri. Ajo që më bëri përshtypje është enegjia që ka brezi i ri në Shqipëri. Pra ishte me rëndësi që ne të sillnim në ekran gjithë këtë energji që kanë adoleshentët në Shqipëri, dëshirën e tyre që pasi të mbarojnë shkollën, të vazhdojnë ëndrrën e tyre për t’i sjellë gjëra të mira vendit të tyre.

Joshua Marston: Shpresoj se së shpejti gjakmarrja në Shqipëri do të jetë diçka që do t’i takojë së kaluarës. Për fat të keq, sot ajo është ende një dukuri që prek shumë njerëz. Ajo që më habiti pa masë ishte kontrasti pra, disa nga këta njerëz jetonin në izolim në shtëpitë e tyre dhe, nga ana tjetër, përdornin telefonat celularë, internetin dhe shumë nga teknologjitë e sotme.

Andamion Murataj:
Realizimi i këtij filmi në Shqipëri ishte i vështirë. Ishte bashkëpunimi i parë amerikano-shqiptar që realizohet në Shqipëri dhe më vjen mirë që atje gjetëm shumë njerëz profesionistë dhe plot gjallëri. Ky është një rast për të rinjtë kudoqofshin që ta shikojnë këtë film në kinema dhe të gjejnë aty jetën e tyre të vërtetë.

Joshua Marston: Nuk e di nëse do të bashkëpunojmë përsëri në të ardhmen. Nëse dashamirët e artit në Shqipëri e pëlqejnë këtë film, atëhere ne do të bëjmë edhe një tjetër.

XS
SM
MD
LG