Lidhje

Ishujt Falkland, votuesit mbështesin sundimin e Britanisë


Në një referendum që u zhvillua të hënën banorët e Ishujve Falkland votuan me shumicë dërrmuese për të mbetur pjesë e Britanisë së Madhe, duke shtuar mosmarrëveshjet territoriale në mes të Argjentinës dhe Britanisë së Madhe për këta ishuj.

Rezultatet zyrtare tregojnë se pothuajse 100 për qind e të gjitha votave të hedhura ishin në mbështetje të propozimit që ishujt vetë-qeverisës të mbeten territor britanik. Vetëm tre vota ishin kundër këtij propozimi. Zyrtarët thanë se në referendum morën pjesë 92 përqind e 1 mijë e 650 banorëve me të drejtë vote të këtyre ishujve.

Banorët shpresojnë se votimi do të dërgojë një sinjal të qartë jo vetëm në Buenos Aires, por edhe në mbarë botën, në lidhje me dëshirën e tyre për të mbetur nën sundimin britanik. Nigel Haywood është guvernator i Ishujve Falkland:

“Ka qenë një pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë e banorëve dhe rezultati i votimit ishte i papritur madje edhe për mua. Është një rezultat absolutisht pozitiv dhe unë mendoj se dërgon një mesazh në të gjitha vendet e botës se pretendimet e Argjentinës ndaj këtyre ishujve nuk mbështeten nga banorët e tyre”.

Por Argjentina e ka hedhur poshtë referendumin duke e quajtur atë të paligjshëm. Alicia Castro, ambasadore e Argjentinës në Britaninë e Madhe, i tha një radio stacioni në Argjentinë se çështja duhet të zgjidhet përmes bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Britanisë dhe Argjentinës.

Presidentja e Argjentinës Cristina Kirschner i ka përsëritur vazhdimisht pretendimet e vendit të saj për sovranitet mbi këta ishuj që në spanjisht quhen ishujt Malvine. Këta ishuj ndodhen 500 kilometra larg brigjeve të Argjentinës. Qeveria ushtarake e Argjentinës i pushtoi Ishujt Falkland më 1982, por humbi kontrollin e tyre pas një lufte të shkurtër me Britaninë e cila shkaktoi vdekjen e më shumë se 900 njerëzve.
XS
SM
MD
LG