Lidhje

Familjet në nevojë kërkojnë ndihmë në qendrën sociale


Familjet në nevojë kërkojnë ndihmë në qendrën sociale

Familjet në nevojë kërkojnë ndihmë në qendrën sociale

Një numër jo i vogël familjesh kërkojnë çdo ditë ndihmën e mjekëve dhe sociologëve në një qendër të specializuar në Tiranë për të tejkaluar dëmet e dhunës, varfërisë dhe rrethana të vështira ku gjenden fëmijët e tyre në mjedise shtëpiake. Fëmijët janë ata që vuajnë më shumë pasojat e halleve të prindërve, dhe të gjithë janë vënë në kërkim të një strehe të qetë. “Kjo është një qendër ditore për këto fëmijët pak më të vonuar. I lëmë fëmijët nga ora 9 deri në orën 13. Mësojnë dhe kanë aktivitete. Kur është kohë e mirë i nxjerrin edhe për aktivitete fizike. Mësojnë të shkruajnë numrat, shkronjat, recitojnë vjersha, përralla. Ka edhe lodra brenda dhe luajnë” - thotë Silva, një nënë e re që sjell dy vajzat e saj në këtë qendër.

Punonjëset e Qendrës Sociale për Familjet dhe Fëmijët në Nevojë trajtojnë mbi 250 raste të reja në vit që vijnë nga çdo zonë e kryeqytetit, krahas qindra rasteve të mbartura nga periudha të mëparshme. “Familjet janë nga më të ndryshmet, sepse edhe problemet janë nga më të ndryshmet. Pjesa më e madhe kanë probleme ekonomike të mëdha. Por këtu vijnë edhe raste thjesht për të marrë një trajtim psikologjik, një këshillë ligjore, ose një këshillë mjekësore” - thotë Orinda, punonjëse sociale.

Kjo qendër, e ngritur më parë nga shoqata dhe donatorë vendas e të huaj, tani administrohet nga bashkia e Tiranës. Aty trajtohen me terapi grupi dhe terapi individuale dhjetëra fëmijë me probleme shëndetësore, kulturale dhe ekonomike. Drejtuesja e Qendrës, Donika Maqi, mjeke pediatre zhvillimi, thotë se krahas grupeve parashkollore, këtë vit është ngritur për herë të parë edhe një grup terapie me fëmijë të klasave të para, që sapo kanë hyrë në shkollë. “Ne kemi nisur edhe grupin e dytë mbështetës që përbëhet nga fëmijë që kanë filluar vitin e parë shkollor dhe që kanë vështirësi mësimore, të adaptimit dhe përvetësimit të informacionit shkollor. Me këtë grup punohet në grupe më të vogla sipas grup-moshës së zhvillimit të tyre dhe nevojave të veçanta. Grupet me terapi edukuese janë me 15 fëmijë nga 3 deri në 6 vjeç me moshë biologjike, të cilët pastaj ndahen edhe sipas moshës së zhvillimit mendor” - thotë zonja Naqi, drejtore e Qendrës Sociale për Familjet dhe Fëmijët në Nevojë.

Në shumicën e rasteve janë minibashkitë e Tiranës që i rekomandojnë qendrës sociale familjet më problematike, por referencat vijnë nga të gjitha burimet. Pothuajse çdo ditë aty diskutohen raste të reja ose shqyrtohet ecuria e rasteve të mëparshme, disa prej të cilave trajtohen për disa vite. Ekipi shumëplanësh me psikologë, punonjës socialë, mjekë dhe edukatorë zhvillimi has çdo ditë vështirësi të paparashikuara, por problemi më i madh që ndeshet është mendësia për të mos folur hapur për shqetësimet. “Hasim vështirësi me mentalitetin e shoqërisë ku jetojmë. Individi e ka të vështirë që të flasë për probleme personale dhe probleme që në traditën tonë mbahen brenda mureve të familjes e të shtëpisë. Po përpiqemi t’i ndihmojmë duke krijuar një mjedis të ngrohtë, të hapur me komunikimin tonë për t’i bërë ata më të lirshëm në shpjegimin e vështirësive, sepse vetëm kështu mund t’i kalojnë ato” - thotë Alketa, punonjëse sociale.

Qendra Sociale për Familjet dhe Fëmijët në Nevojë ka nisur edhe trajnime me punonjëset e kopshteve për problemet me të miturit, siç është aktualisht edhe autizmi. Punonjëset sociale pohojnë se një ndihmë e madhe në punën e tyre janë prindërit me histori të suksesshme që mbështesin përmirësimin e rasteve të reja. Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se shumë shpejt do të hapë edhe një duzinë qendrash të tjera sociale të tilla, sepse edhe nevojat e kryeqytetit me afro 800 mijë banorë janë përherë e më të mëdha.

XS
SM
MD
LG