Lidhje

Tifozi i vogël i Messit ikën nga Afganistani


Një djalë i ri afgan, i cili kohët e fundit mori një fanellë dhe një top të nënshkruara nga heroi i tij i futbollit, Lionel Messi, është larguar nga vendi i tij për shkak të sigurisë së familjes së tij. Ai tani është duke u strehuar, së bashku me familjen, në Pakistanin fqinj.

Për pesë-vjeçarin Murtaza Ahmadi, ylli ndërkombëtar i futbollit Lionel Messi është një hero:

"Unë e dua Messin. Unë i jam mirënjohës atij dhe dua ta takoj", - thotë ai.

Ky djal afgan pushtoi zemrat e shumë njerëzve në janar, pasi ai u fotografua i veshur me një qese plastike të improvizuar që dukej si fanella e ekipit kombëtar të Argjentinës. Fanella në pjesën e prapme kishte numrin e Messit. Fotografija pati një përhapje virale në mediat sociale dhe tërhoqi vëmendjen e yllit argjentinas të futbollit, i cili përmes organizatës UNICEF i dërgoi një fanellë me nënshkrimin e tij tifozit të tij të vogël në Afganistan.

Fama e ndihmoi Murteza Ahmadin, i cili me ndihmën e një organizate jo-qeveritare u zhvendos nga fshati i tij i vogël në Kabul për t’u marrë me futbollin. Por shumë shpejt, familja e tij filloi të merrte kërcënime nga talebanët dhe bandat kriminale të përfshira në rrëmbime për shpërblim.

Rreth një muaj më parë, familja e tij tetë anëtarëshe u largua nga Afganistani, duke lënë pas gjithçka. Ata aktualisht jetojnë në një banesë një-dhomëshe me qira në qytetin e Kuetas në Pakistan.

Mohammad Arif Ahmadi, babai i Murteza-it:

"Nën rrethana jashtëzakonisht të vështira unë u detyrova të merrja një vizë nga ambasada Pakistanit në Kabul. Më pas ne shkuam në Islamabad, por për arsye financiare pesë ditë më vonë u vendosëm në qytetin e Kueta-s".

Por pesë-vjeçari, Murtaza Ahmadi nuk ka hequr dorë nga stërvitjet edhe pse ndodhet në mërgim. Herë pas here, xhaxhai i tij e dërgon atë për stërvitje në një fushë futbolli aty pranë.

"Unë jam duke u përpjekur të lëviz në një vend ku ka paqe në mënyrë që Murtazai të jetë në gjendje të realizoj ëndrrën e tij për t'u bërë futbollist. Dua ta shoh atë të bëhet një lojtar i mirë, në mëmyrë që ai të mund të përfaqësonte Afganistanin në të ardhmen", - thotë babai i tij.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët është duke u përpjekur ta regjistrojë familjen si refugjatë të ligjshëm.

XS
SM
MD
LG