Lidhje

Restaurimi i fanarëve


Për shekuj me radhë, fanarët drejtuan anijet në mënyrë të sigurtë përmes shkëmbinjsh nënujorë dhe korridoreve shkëmbore për në porte. Por përparimet teknologjike të lundrimit si radarët dhe sistemet e pozicionimit global satelitor, i kanë nxjerrë ata jashtë përdorimit. Qindra prej këtyre ndërtesave të shtrira përgjatë brigjeve amerikane u braktisën, u rrënuan ose u shkatërruan. Në rajonin e Liqeneve të Mëdhenj, njerëz të devotshëm po përpiqen të ruajnë këto objekte të bukura arkitektonike.

Ka gjithnjë diçka speciale që lidhet me fanarët.

Ata janë të gjithë ndryshe, kështu që ruajtja e tyre është si të ndërtosh një koleksion. Dhe si të gjitha objektet historike, të ngjallin nostalgji.

“Ky fanar më lidh me gjyshërit. Këtu gjej rrënjët e mia”, thotë John Scripp, vullnetar.

Fanari North Point në Liqenin Michigan të Milluakit është restauruar plotësisht dhe është hapur për publikun.

"Ai u ndërtua në vitin 1854, dhe drita u ndez në vitin 1855."

Por fanarët e ndërtuar në zona të largëta provuan se janë shumë më të vështirë të restaurohen dhe kërkojnë burime të mëdha.

Fanari Austin Reef në Liqenin Huron u braktis në vitet 1950. Vetëm një dritë automatike e tij punonte. Në vitin 2011, qeveria lejoi vullnetarët lokalë ta restauronin dhe ajo që dukej një punë dy vjecare, u kthye në një projekt që zgjati dekada të tëra.

“Nuk menduam më shumë sesa një ose dy vjet punë për të gjitha projektet që kishim. Dhe ja ku jemi këtu edhe 30 vite më pas”, thotë Marv Kuziel.

Në fillim të viteve 2000, shumica e fanarëve në Shtetet e Bashkuara ishin drejt rrënimit. Qeveria i hodhi në ankand ose thjesht i fali më shumë se 100 të tilla përgjatë Liqeneve të Mëdhenj.

Entuziastët u hodhën në veprim edhe pse e dinin se detyra ishte e vështirë.

“Erdhëm këtu dhe shumica e dhomave, sidomos në katet e poshtme, kishin ndoshta 80 centimetra jashtëqitje zogjsh që na u desh ta hiqnim me lopata.

Puna u bë më e lehtë kur u përfshinë autoritetet lokale. Kohët e fundit bashkia Port Washington, në Liqenin Michigan, u bë pronare e një fanari 81 vjecar.

“Ishte vendimi i duhur. Njerëzit donin që fanari të ishte në pronësi të një kompanie lokale,” thotë Tom Mlada, kryetar i bashkisë së Port Uashingtonit.

Qyteti ka në plan të fillojë mbledhjen e donacioneve për një projekt 1.5 milionë dollarë, ndërsa banorët mezi presin të fillojë restaurimi i strukturës së vjetër në fundin e skelës.

XS
SM
MD
LG