Lidhje

Shpërthim në banesën e kryekomunarit të Farkës


Sipas policisë, eksplozivi ishte vendosur në murin rrethues. Kryetari demokrat i komunës Fatbardh Plaku: “Ishte goditje me predhë antitank”. Reagon PD: “Akt terrorist ndaj të zgjedhurve demokratë”

Në Shqipëri, një shpërthim ndodhi gjatë natës në banesën e kryetarit të komunës së Farkës Fatbardh Plaku, në afërsi të Tiranës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Zoti Plaku është përfaqësues i Partisë demokratike

Sipas njoftimit të policisë, në murin rrethues të shtëpisë së zotit Plaku, ishte vendosur një sasi lënde eksplozive. Por sipas pohimeve të kryetarit te komunës, drejt banesës së tij është qëlluar me një predhë antitank e cila pasi ka depërtuar murin rrethues, ka dëmtuar derën e banesës. Kryetari i Komunës ka shpjeguar se ai nuk ka dyshime konkrete pasi nuk ka patur konkflikte apo trysni që të lidheshin me detyrën e tij.

Partia demokratike nga ana e saj ka reaguar ashpër duke folur për një “akt terrorist, dhe një sulm burracak ndaj një të zgjedhuri vendor”. Sipas deputetit demokrat Keltis Kruja, ngjarja e sotme tregon kapitullimin e rendit. “Atentati ndaj kryetarit të Komunës – deklaroi ai - më së paku e bën qeverinë përgjegjëse që nuk arrin të sigurojë rendin dhe qetësinë në vend, por përkundrazi ka krijuar rrethana të favorshme për krimin, dhe goditjen e zyrtarëve demokratë”.

Muajin janar një tjetër përfaqësues lokal demokrat, kryetari i Komunës Qendër në Vlorë, ishte shënjestër e një atentati me autobombë, në bulevardin kryesor të qytetit, ndërkohë që një seri shpërthimesh janë regjistruar në zona të ndryshme të vendit gjatë muajve të fundit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG