Lidhje

Incidente fatale në përplasje me policinë


Janë rishfaqur protestat për praktikat policore, në veçanti ndaj komuniteteve pakicë këtu në Shtetet e Bashkuara. Dy afrikano-amerikanë kanë humbur jetën nga plumbat e policisë. Në një komunitet të Minesotës, në veri të vendit, si dhe në Baton Rouge, kryeqyteti i Luizianës në jug të Shteteve të Bashkuara, thirrje të revoltuara pasqyrojnë dëshmpërimin e komunitetit për incidente fatale që nga komuniteti afrikano-amerikan shihen si dëshmi e tendencave raciste të forcave të rendit ndaj këtij grupi:

Philando Castile, një 32-vjeçar afrikano-amerikan humbi mbrëmë jetën në Minesota, pasi u qëllua për vdekje nga një polic. Viktima punonte në një shkollë tetë-vjeçare dhe në kohën e incidentit po lëvizte me makinë, ku ishte edhe një grua dhe një fëmijë shtatë vjeç.

Shefi i policisë për qytetin St. Anthony informoi komunitetin se një individ kishte mbetur i vrarë në një incident me policinë dhe se çështja ishte kaluar në Byronë e Investigimeve Penale.

Incidenti ka shkaktuar protesta në qytet, pasi në median sociale qarkulloi një video, e xhiruar menjëherë pas incidentit. Policia ka konfirmuar se videoja tregon skena të të njëjtit incident ku u qëllua për vdekje Philando Castile.

Në video shihet një burrë u mbuluar me gjak, i shtrirë në sediljen e makinës. Dëgjohet gjithashtu zëri i një gruaje duke i thënë policit se viktima i kishte treguar se kishte armë në makinë, se kishte edhe leje për armëmbajtje, por polici i kishte thënë të mos përpiqej të nxirrte lejen nga portofoli.

Gruaja thotë në video se kur viktima po ngrinte duart në ajër, polici e qëlloi 4-5 herë.

Polici në video tingëllon shumë i nervozuar dhe në një moment bërtet “I thashë të mos e prekte. I thashë të largonte dorën që andej”.

Gruaja në makinë, e cila është identifikuar si Diamond Reynolds, e dashura e viktimës reagon me qetësi ndaj policit duke thënë “Ti i the të nxirrte patentën e makinës”.

Ngjarjet në Minesota ndodhin ndërkohë që në Baton Rouge të Luizianës kanë shpërthyer protesta për vdekjen e një afrikano-amerikani gjatë një incidenti me policinë.

Alton Sterling u qëllua për vdekje, pasi dy policë e kishin rrëzuar për tokë dhe vënë nën kontroll. Incidenti është regjistruar në video dhe është postuar në median sociale duke tërhequr vëmendje mbarë-kombëtare.

Është një nga videot më grafike të regjistruara në rastet e incidenteve të ngjashme me policinë. Vrasja ndodhi të martën para një dyqani, ku 37-vjeçari Sterling shiste video filmash dhe lojëra elektronike.

Dy policë mbërrijnë në skenë, pasi kishin marrë njoftim se një afrikano-amerikan me bluzë të kuqe po kërcënonte kalimtarët dhe kishte armë zjarri në dorë. Policia përleshet me 37-vjeçarin Sterling. Dëgjohen të shtëna. Më pas në video shihet Sterling i mbuluar me gjak në kraharor, ndërsa polici nxjerr nga xhepi i viktimës një objekt. Pronari i dyqanit, i cili xhiroi videon, thotë se objekti i nxjerrë nga xhepi i Alton Sterling ishte armë zjarri.

Përveç videos së pronarit të dyqanit, policët kishin kamera të vëna në trup, por që lëvizën gjatë përleshjes. Të gjitha këto regjistrime nga kënde të ndryshme po analizohen për të gjykuar çfarë ndodhi.

Guvernatori i shtetit të Luizianës ia ka kaluar çështjen Departamentit të Drejtësisë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që komuniteti ka dalë në protesta me thirrjet tashmë të njohura: “Ndal brutalitetit policor”.

XS
SM
MD
LG