Lidhje

Reforma në drejtësi mund të ndryshojë Kushtetutën shqiptare


Në qarqet politike të Tiranës u kthye sot sërish debati për reformën në sistemin e drejtësisë. Drejtuesi i komisionit të kësaj reforme pohoi për shtypin se ndryshimet mund të prekin edhe Kushtetutën. Koalicioni qeveritar dhe shumica e majtë në parlament janë angazhuar se shtatori do të jetë periudha më e frytshme për reformën në sistemin e drejtësisë. Pak dtë para se të mbyllej sesioni parlamentar shumica dhe opozita arritën një marrëveshje për mbarëvajtjen e komisionit për reformën në drejtësi. Kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve, Fatmir Xhafaj, theksoi sot se kjo reformë do ta prekë edhe Kushtetutën në nenet që lidhen me presidentin, prokurorinë, KLD dhe Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, sistemi i drejtësisë është në gjendje të rëndë dhe për këtë janë përgjegjës të gjitha palët; gjithçka do të diskutohet midis ekspertëve dhe Komisionit të Venecias. Zoti Xhafaj tha se shpreson që opozita do ta mbështesë këtë proces, dhe ka shansin të luajë një rol pozitiv në përpjekjet për një drejtësi të pavarur dhe efektive.

Opozita dhe koalicioni qeveritar arritën marrëveshje për të bashkëpunuar në reformimin e sistemit të drejtësisë. Sipas kësaj marrëveshje, opozita dhe shumica do të kenë numër të barabartë prej 5 anëtarësh secila në komisionin e reformës. Marrëveshja kërkon mirëkuptimin e dy palëve për çdo pikë të reformës. Palët ranë dakord që kryetari i komisionit të mos përdorë votën e tij të posaçme për të rrëzuar propozimet e opozitës. Sipas marrëveshjes, kur votat mes palëve janë të barabarta, atëherë do të ndiqen rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtare. Kryeminisitri Edi Rama shprehu vendosmërinë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë vlerësohet si më i korruptuari dhe më problematiku në institucionet e vendit.

Reforma në drejtësi po mbështetet nga diplomatët perëndimorë, të cilët po i kërkojnë autoriteteve të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, si rruga e vetme për t'u integruar në Bashkimin Europian. Ambasadori i SH.B.A. në Shqipëri, Donald Lu, deklaroi pak ditë më parë gjatë një konference se Shqipëria ka nevojë për institucione dhe procedura që të ndëshkojnë korrupsionin brenda radhëve të drejtësisë. Ambasadori Lu tha se një demokraci e mirëfilltë funksionale duhet të ketë institucione për identifikimin e korrupsionit, ndëshkimin e përgjegjësve dhe sigurimin e drejtësisë për qytetarët.

Ai theksoi se disa gjykatës dhe prokurorë në Shqipëri meritojnë të pushohen nga puna dhe disa meritojnë të shkojnë në burg. Të gjithë kanë nevojë për prokurorë dhe gjykatës të pastër ashtu si kërkojnë të identifikojnë dhe ndëshkojnë ata që janë të korruptuar.

Në serinë e konsultimeve publike u paraqitën elementët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë” dhe po mblidhen mendime rreth strategjisë për reformën në drejtësi. Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi dhe grupi i ekspertëve pranë këtij komisioni, kanë organizuar konsultime me qarqet e drejtësisë si gjyqtarë e prokurorë, avokatë e noterë, përmbarues dhe ndërmjetës, pedagogë dhe studentë të universiteteve në të gjithë vendin. Në këto takime po diskutohet strategjia e reformës në drejtësi për të rritur profesionalizmin dhe masat anti-korrupsion në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG