Lidhje

Ikja e vazhdueshme e shqiptarëve, sipas shkrimtarit Fatos Lubonja


Gjatë këtij viti nga Shqipëria janë larguar vetëm drejt Gjermanisë 6-7 mijë shqiptarë çdo muaj, pra në 10 muaj 60-70 mijë vetë.

Sipas statistikave zyrtare gjermane, emigrantët shqiptarë në Gjermani janë të dytët nga numri pas Sirisë, prej nga njerëzit ikin prej luftës. Por kjo është një dukuri shqetëuese në dy dekada.

Analisti i njohur Fatos Lubonja thotë se është dramatik krahasimi me Sirinë 19 milionë banorë, që ikin sepse bombardohen çdo ditë, kur Shqipëria nuk ka luftë, por njerëzit ikin njëlloj.

“Lufta që kemi ne është situata e një politike, që bën një luftë civile pa armë për të rrëmbyer dhe për të grabitur popullsinë - dhe këtu është katandisur politika. Kjo lufta civile pa armë që bën elita politike, oligarkia, ka krijuar një situatë ku njerëzit janë ata që e pësojnë të parët, sepse ata grabiten, iu vritet shpresa dhe besimi” - tha ai.

Zoti Lubonja thotë se sot pas 25 vitesh Shqipëria është përsëri në një gjendje të ngjashme me luftën dhe kjo tregon dështimin e plotë të klasës politike, ekonomike dhe mediatike të vendit si dhe dështim i sistemit gjyqësor.

Shqiptarët po ikin nga Atdheu, sepse kanë ankth prej pasigurisë për të ardhmen, sepse qeveria nuk i jep asnjë siguri për të ardhmen e afërt, ndërkohë që ekonomia nuk është e qëndrueshme, thotë ai.

“Njerëzit ndjejnë se jetojnë në një vend ku nuk ka drejtësi, ku nuk ka meritokraci, ku puna e ndershme, nuk paguhet, por paguhet puna e pandershme e atij që bën militantin e partisë, që pastaj shfrytëzon pushtetin për të bërë korrupsion. Kjo godet edhe një pjesë tjetër që e ka të vështirë të jetojë me këtë lloj korrupsioni. Ka shumë njerëz që nuk janë në gjendje as moralisht dhe as financiarisht që të futen dhe të bashkëjetojnë me këtë sistem ku gjithçka paguhet në formën e rryshfetit në një sistem korrupsioni galopant dhe kapilar” - tha zoti Lubonja.

Shumica janë të papunë, sipas tij, por pak njerëz e dinë në Shqipëri se cila do të jetë puna e tyre të nesërmen, të gjithë punojnë dhe grabitin sot për sot.

Të varfërit nuk kanë para as për të ngrënë as për të shpërndarë rryshfetet e majme që u kërkohen majtas djathtas.

Zoti Lubonja thotë se Shqipërinë po e braktisin edhe të shkolluarit edhe të pashkolluarit, po ikin me shpejtësi nga atdheu edhe krahu fizik i punës edhe të diturit.

Por më e keqja, thotë ai, është edhe ata që po rrinë këtu kanë braktisur pjesëmarrjen në veprimtari demokratike sepse ndjehen të pafuqishëm dhe të nënshtruar përballë arrogancës dhe indiferencës së pushtetit dhe të politikës.

Njerëzit janë mbyllur në vetvete, në punët e tyre dhe nuk marrin pjesë në ndryshimet që ka nevojë shoqëria, thotë ai.

“Ne kemi një ikje të trurit dhe një ikje të forcave fizike, por kemi edhe një ikje të brendshme të njerëzve që ua lanë gjithnjë e më shumë terrenin në dorë këtyre banditëve, që e shfrytëzojnë dhe e gëzojnë në njëfarë kuptimi. Ka shumë si ikja në Italinë e jugut: ikja e njerëzve më të mirë, ikja e njerëzve më të ndershëm, që nuk duronin dot presionin nën mafian i çonte ose jashtë shtetit, ose në Italinë e veriut. Kështu mafia ngelej dhe sundonte në jug; kjo është një dukuri e njohur, që po ndodh edhe në Shqipëri aktualisht. Pra, kemi një rreth vicioz: ikja fuqizon paradoksalisht mafian” - thotë zoti Lubonja.

Ai mendon se të katër pushtetet; politika, ekonomia, media dhe gjykata janë përgjegjës për këtë hemoragji të rëndë, ku ata vazhdojnë të korruptojnë njëri tjetrin deri në skaj.

Rrugëdalja e parë është përpjekja e pamjaftueshne për t'i demokratizuar dhe emancipuar me lëvizje kulturore.

Rruga tjetër është lëvizja popullore. Por aktualisht nuk ka as demokraci në udhëheqjen politike dhe as lëvizje popullore dhe kjo gjendje është më keq se status quo-ja.

“Kjo nuk është status quo, por është një rënie, rënie e vazhdueshme e shpresës, e besimit e sigurisë në jetën, që krijon ankthin dhe ikjen. Ky është një dështim i madh, ky është një shtet i dështuar. Edhe shteti i Enver Hoxhës ishte një shtet i dështuar. Nuk vijmë nga ndonjë shtet i suksesshëm. Kur ai mbaroi shqiptarët ikën në mënyrën më dramatike. Kjo është një hemoragji jo e menjëhershme, por ama është një hemoragji e vazhdueshme, që krijon një anemi të tmerrshme të vendit. Ajo ikje e 90-91 ishte dramatike, një operacion që solli një derdhje të menjëhershme, ndërsa aktualisht prej disa kohësh kemi një hemoragji të vazhdueshme, ku trupi rrjedh nga të gjitha anët dhe krijon anemi” - tha zonja Lubonja.

Ai shtoi se autoritetet politike dhe pushtetare po qeverisin territore të zbrazura nga popullata dhe territore të zbrazura nga ambicjet e njerëzve për liri, dinjitet dhe demokraci.

Nga kjo situatë, thotë zoti Lubonja mund të dilet vetëm me kurajo qytetare dhe me angazhim të gjerë demokratik të shoqërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG