Lidhje

Analisti Fatos Lubonja flet për zgjedhjet


Ai thotë se zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit ishin një ndëshkim për qeverisjen autoritare të kryeministrit Sali Berisha.

Botuesi dhe publicisti i njohur shqiptar Fatos Lubonja thotë se zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit ishin një ndëshkim për qeverisjen autoritare të kryeministrit Sali Berisha.
Por sipas tij, ai dhe një pjesë e madhe e popullsisë kanë një entuziazëm të matur lidhur me fituesit e zgjedhjeve, të cilet kanë dhënë premtime të parealizueshme.
Zoti Lubonja analizon edhe shumëfishimin e fitores së LSI-së.


Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, si botues, publicist dhe analist i njohur i zhvillimeve sociale dhe politike në Shqipëri, cili është komenti juaj lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri?

Fatos Lubonja: E para them se ky është një ndëshkim për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike. Dhe është ndëshkim në tre aspekte: ndaj autoritarimzit në rritje, ndaj arrogancës së pushtetit në rritje, ndaj paaftësisë për të dëgjuar kritikën dhe paaftësisë për t'u vetëkorrigjuar. Përkundrazi ishte ideja që Sali Berisha dukej sikur po kërkonte të bëhej lideri i përjetshëm i shqiptarëve, mbreti i tyre, nëse mund ta themi kështu, dhe shqiptarët e ndëshkuan për këtë. Ky është ndëshkim njëkohësisht për politikat ekonomike, mendoj unë. Edhe pse ata janë mburrur lidhur me rrugët kryesisht, në përgjithësi ekonomia është në gjendje katastrofike, sepse është një ekonomi që ka punuar thjesht për pasurimin e një grupi shumë të vogël, duke e lënë pjesën tjetër në mjerim. është njëkohësisht një ndëshkim për korrupsionin dhe klientelizmin në rritje të kësaj maxhorance që humbi. Tani, nëse vendosim një filtër, filtrin Meta, ndaj tre këtyre aspekteve, do të duhej që për dy pikat e fundit pra, korrupsionin, klientelizmin, ekonominë e dështuar, sistemin shëndetësor të dështuar etj., votuesit të ndëshkonin edhe Ilir Metën. Fakti është që atë nuk e ndëshkuan. Atëherë ky filtër na tregon që pesha specifike kryesore e ndëshkimit vjen ndaj autoritarizmit dhe arrogancës në rritje të Sali Berishës. Pra shqiptarët, mendoj unë, kanë një imunitet, që e kanë mësuar nga trauma që iu ka shkaktuar Enver Hoxha, nga trauma që ka shkaktuar edhe Sali Berisha herën e parë; ata nuk pranojnë një njeeri që do pushtet absolut dhe që vendos për gjithçka. Për këtë u bashkuan dhe e goditën. Ndërsa përsa i përket pikës së dytë- qeverisjes së keqe, ekonomisë së keqe dhe klientelizmit dhe korrupsionit, sistemi oligarko-mafioz që mbretëron në Shqipëri, mendoj se shqiptarët për këtë nuk kanë imunitet. Fitorja e Metës hap diskutim shumë të madh në këtë pikë. Sfida e sotme e shqiptarëve që të mundin autoritarizmin e një personi, që tenton të ketë pushtet absolut, tashmë është fituar, por Shqipëria nuk ka fituar luftën me sistemin oligarko-mafioz.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, ky ishte një koment për humbësin e këtyre zgjedhjeve, po cili është komenti juaj për fituesit e këtyre zgjedhjeve për PS dhe LSI: çfarë fituan ato dhe si do të qeverisin?

Fatos Lubonja: Unë mendoj se ata mund të falenderohen për përpjekjen e bërë për të mos lejuar një njeri të ketë pushtet absolut, se një njeri absolut korrupton në mënyrë absolute. Kjo mund të jetë një meritë. Ajo që fituan ata është pushteti, dhe më së shumti e morën pushtetin me çdo mjet. Ky është problemi, pra, kanë marrë një përgjegjësi shumë të madhe përpara. Unë nisem më shumë nga dyshimi dhe jo nga besimi. Këto 20 vjet ne kemi bërë edhe disa rotacione, por sa më shumë ndodhin ato, gjithnjë e më i vogël bëhet besimi tek ata që e marrin pushtetin se do të na bëjnë mirë dhe gjithnjë e më shumë rritet dyshimi se do të na sjellin ata ndonjë gjë, apo do të punojnë për vete. Në këtë rotacion të fundit unë nisem shumë herë më me dyshim sesa me besim. Do të doja që të kenë sukses, por nisem shumë herë më shumë me dyshim. Sepse mendoj se për të ardhur në pushtet nuk mjafton thjesht të godasësh një person, qoftë dhe familjen e tij, dhe ta quash se e keqja është ai dhe familja e tij, e keqja e Shqipërisë. Unë mendoj se është shumë më e gjerë dhe shumë më e thellë; është sistemi oligarko-mafioz i pranishëm. Ata kanë qenë krijues të këtij sistemi dhe jam i mendimit se janë ende, si të thuash, pre e këtij sistemi, janë të kapur nga ky sistem.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, cili është komenti juaj me katërfishimin e rezultateve të LSI-së, nga 4 mandate parlamentare dikur në mbi 16 mandate?

Fatos Lubonja: Kjo është pikëpyetja e madhe që ngrihet dhe që shqiptarët duhet të mendohen e të thellohen. Unë mendoj dy gjëra lidhur me këtë: Një pjesë e këtyre votave mendoj se kanë ardhur si reagim ndaj autoritarizmit të Berishës dhe ndaj frikës që sjell ky pushtet absolut, por edhe ndaj frikës se kundërshtari i tij Edi Rama, që është simetrik i Berishës në shumë aspekte sa i përket etjes për pushtet, mundet të jetë një Sali i dytë. Në këtë aspekt, një pjesë e votave i ka shkuar Ilir Metës, si një instinkt që kanë shqiptarët për t'u ruajtur nga autoritarizmi. Kjo është njëra pjesë. Pa dyshim, një pjesë tjetër e votës, siç thuhet, siç kemi informacion dhe siç e marrim me meend, lidhet me faktin e sistemit klientelar, që ka krijuar politika shqiptare. Ilir Meta flitet shumë dhe besoj që është e besueshme se ka premtuar mjaft vende pune dhe ka shpenzuar mjaft për të shumëfishuar këtë rezultat. Ka përdorur pushtetin, që ka pasur për t'u pasuruar dhe për të investuar këto para në shumëfishimin e votave. Kjo është shenjë e rrezikshme, e frikshme e asaj se sa po korruptohet shoqëria shqiptare, sesa partitë politike vërtet i shërbejnë gjithë shoqërisë dhe sa i shërbejnë një pjese, që lidhet me këto parti, që krijon pastaj partito-kracinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja si e pritët dhe cili është vlerësimi juaj lidhur me deklaratën e kryeministrit Sali Berisha se ka dhënë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD-së? A është kjo një tërheqje e plotë për t'i hapur rrugën rindërtimit të plotë të partisë, apo një zhvendosje e tij në prapaskenë?

Fatos Lubonja: Më shumë do ta quaja një hap prapa për t'i tërhequr fijet nga prapaskena, sesa një hap i vërtetë, i sinqertë për t'u tërhequr nga politika dhe për t'i hapur rrugën forcave të reja në PD. Më shumë sesa caktimi i trashëgimtarëve, partitë e forta, partitë e mira bëjnë analizën, i japin përgjegjësitë një lideri, e shkarkojnë këtë lider edhe kur ky nuk jep dorëheqjen dhe dalin forca të reja, që çojnë përpara partitë. Ne nuk e kemi këtë. Ne kemi mendësinë paternaliste dhe fjalimi i Sali Berishës për mua ishte një fjalim paternalist, që le të kuptojmë se është ai që do ta kontrollojë gjithë procesin në këtë parti, nëse mbajmë parasysh se në fjalimin e tij foli kryesisht dhe vetëm për suksese. Eshtë vështirë që kjo parti të bëjë një analizë të thellë të shkaqeve të dështimit të saj dhe njëkohësisht është shumë vështirë të dalë një parti e re nga kjo klasë politike, që e ka bërë kulturë politike shërbimin ndaj interesave të vetvetes.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë sfidat kryesore të qeverisë së re? PS dhe LSI kanë bërë shumë premtime në fushatë. Sa do t'i përmbushin ata iluzionet dhe shpresat e votuesve?

Fatos Lubonja: Fushata elektorale ka pasur shumë premtime boshe dhe të pambajtshme. U përdor çdo lloj mjeti për të fituar, u përdorën mjetet financiare, u përdorën “njerëzit e fortë”, u përdor gjithashtu edhe premtimi bosh. Këto janë fillesa jo të mira për një forcë politike. Mendoj se një forcë politike serioze duhej të ishte shumë e përgjegjshme dhe shumë e matur me premtimet dhe besoj se ashtu populli do t'i besonte. Gjendja në vend është dramatike dhe është shumë vështrirë të mbahen këto premtime, qoftë edhe duke mbajtur parasysh borxhet e mëdha, që ka lënë trashëgim qeveria Berisha. Ka zëra që thonë se duhen 3 vjet që Shqipëria të mos bëjë asnjë investim dhe me fitimet që nxjerr GDP të paguajë borxhet që ka. Janë edhe borxhet për rrugë të papaguara, dhe për shumë gjëra të papaguara. Imagjinoni tani që aleanca e re vjen dhe merr në dorë një situatë të tillë. Duhet të jesh shumë i përgjegjshëm, shumë i kursyer dhe të premtosh gjëra që bëhen me modesti, për të mos rënë pastaj nga mali poshtë me premtimet që ke bërë. Megjithatë politika shqiptare është e papërgjegjshme, bën premtime pa fund, e të shikojmë se sa do t'i mbajë ato. Gjithsesi ishte një gjë pozitive, sepse, tek e fundit një fitore e Sali Berishës do të thoshte që populli i dha të drejtë për ato që ka bërë dhe nuk kishe se çfarë t'i kërkoje, ndërkohë që qeverisë së re ke se çfarë t'i kërkosh, se ka bërë shumë premtime dhe mundet t'i kërkosh. Dhe ndoshta diçka mund të ndryshojë.

Zëri i Amerikës: Nga një këndvështrim më i përgjithshëm, a mendoni se këto zgjedhje e afruan më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian?

Fatos Lubonja: Përgjigja është kontradiktore. Mund të thuhet edhe po dhe jo. Realiteti është më kompleks sesa kaq. Këto votime mund të duken edhe si votime të qeta, por të mos harrojmë asnjëherë, se këto tregojnë që në Shqipëri pushteti nuk mund të merret me dhunë dhe të mbahet me gjak. Edhe pse tek ne ka manipulime, ka mjete të paligjshme që përdoren për të fituar zgjedhjet, përsëri janë brenda disa limiteve që nuk janë ato të 1996 apo 1997. Mund të thuhet se ka një lloj ecjeje përpara, por përsa i përket ndërtimit të shtetit të së drejtës, Shqipëria është ende në fillimet e veta. Kuptoj këtë me shtetin e së drejtës, faktin që në shtetin e së drejtës pushtetin e ka ligji, nuk e ka as Sali Berisha, as Edi Rama dhe as Ilir Meta, as partitë e tyre, e ka ligji. Klasa jonë politike noton në një pandëshkueshmëri të madhe. Nëse do të kishte shtet të së drejtës shumë nga këta politikanë që përmendim ne sot mund të ishin edhe në burg për shkelje ligjore të rënda, për dëme të mëdha ndaj pronës publike etj. Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap, madje në këtë aspekt ka bërë hapa prapa, sepse sa më shumë është në pushtet kjo klasë politike, aq më shumë kjo korruptohet, aq më shumë kjo lidhet me krimin e organizuar dhe bëhet klientelare. Në këtë aspekt, shteti i së drejtës është në fillimet e veta në Shqipëri. Shteti i së drejtës do të thotë arbitër ndërmjet këtyre dy palëve ose midis tre palëve, ndërkohë që këto janë edhe lojtarë dhe arbitër. Në këtë aspekt Shqipëria ka shumë rrugë përpara për të shkuar në Europë.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG