Lidhje

FBI merr në pyetje banorë çeçenë të Bostonit

  • Brian Padden

Në kuadër të hetimeve lidhur me shpërthimet në maratonën e Bostonit, Byroja Federale e Hetimeve, FBI ka intervistuar një numër banorësh të komunitetit çeçenë në zonë, të cilët mund t’i kenë njohur vëllezërit Tsarnaev, të akuzuar për shpërthimet. Ata u rritën në Shtetet e Bashkuara pasi familja e tyre emigroi para 10 vjetësh.

Në një piknik me miqtë e saj, Maryam Baieva dhe vëllai i saj Islam folën rreth ardhjes së tyre në zonën e Bostonit si refugjatë nga Çeçenia para më shumë se një dekade.

Ata janë gati në një moshë me Dzhokhar Tsarnaev-in, i cili bashkë me vëllanë e tij të madh Tamerlan-in, akuzohen për shpërthimet terroriste në maratonën e Bostonit, ku humbën jetën 3 vetë dhe u plagosën më shumë se 250 të tjerë.
Si Maryam edhe Islami u intervistuan nga FBI-ja, por Maryam thotë se me Dzhokharin ishin në të njëjtën klasë në shkollën fillore.

“Ai ishte fëmijë normal, shumë i zgjuar dhe më ndihmonte gjithnjë me detyrat e shtëpisë së arithmetikës. Më ngacmonte që nuk dija rregullat e arithmetikës, por ai ishte nxënës i zgjuar”.

Islam Baiev thotë se nuk i njihte fare vëllezërit dhe u habit kur mësoi se bashkëatdhetarët e tij çeçenë akuzoheshin për këtë sulm terrorist.

“Reagimi im i parë ishte, “shpresoj që autorët të mos jenë muslimanë”. Dhe jo vetëm që ata janë muslimanë, por ata janë edhe çeçenë. Mbeta krejtësisht i tronditur dhe i zhgënjyer, madje edhe i turpëruar”.

Maryam spekulloi, duke thënë se meqë vëllezërit Tsarnaev nuk jetuan në Çeçeni gjatë kohës së luftës, siç ishte rasti i familjes së saj, kishte të ngjarë që ata nuk e vlerësonin sigurinë dhe mbështetjen që kishin në Amerikë.

“Në Çeçeni mijëra e mijëra njerëz u vranë. Ne përjetuam hedhjen në erë të ndërtesave dhe shkatërrime të tjera të mëdha. Por ky i ri që nuk kishte qënë në Çeçeni në atë kohë dhe kur nuk përjetoi ato tmerre, nuk di ç’të them se çfarë e shtyu atë të hidhte bomba në vijën e finishit të maratonës. Unë dhe vëllai im ndjehemi me fat që jetojmë në Amerikë dhe që nuk jetojmë në atë vend”.

Që prej ardhjes në zonën e Bostonit, Maryam dhe Islami thonë se janë mirëpritur nga komuniteti dhe janë mirënjohës për mundësinë që u është dhënë për të bërë njëjetë normale në Amerikë.

XS
SM
MD
LG