Lidhje

FBI veçon dy të dyshuar për shpërthimet e Bostonit

  • Meredith Buel

FBI ka publikuar foto dhe video të dy të dyshuarve në lidhje me shpërthimet në Boston nga të cilat gjetën vdekjen tre vetë dhe u plagosën më shumë se 170 të tjerë. FBI-ja ka kërkuar ndihmën e publikut për të identifikuar dy persona që kërkohen në lidhje me shpërthimet e Bostonit.

Richard DesLauriers është Agjenti Special i FBI-së që kryeson zyrën e Byrosë Federale në Boston:

“Pas një analize shumë të hollësishme të fotove, videove dhe dëshmive të tjera, po publikojmë fotot e dy personave të dyshuar. Ata identifikohen si I Dyshuari 1 dhe I Dyshuari 2. Duket se ata e njohin njeri-tjetrin. I Dyshuari 1 mban një kapele në ngjyrë të errët. I Dyshuari 2 mban një kapele ngjyrë të çelët. I Dyshuari 2 la një çantë shpine në vendin e shpërthimit, para restorantit Forum”.

Agjenti DesLaureiers i bëri thirrje publikut të kontaktojnë autoritetet e rendit dhe të mos përpiqen t’i kapin vetë të dyshuarit.

“Ne i konsiderojmë si persona të armatosur dhe tepër të rrezikshëm. Askush nuk duhet t’u afrohet. Askush nuk duhet të përpiqet t’i kapë përveç autoriteteve të rendit. Po e theksoj: mos ndërmerrni veprime vetë. Nëse i shikoni, kontaktoni autoritetet”.

Fotot dhe videot mund të shihen në faqen e Byrosë Federale të Hetimeve me adresën FBI.gov ose në faqen e Zërit të Amerikës në anglisht me adresën VOAnews.com.

Në pamje shihen dy të rinj me xhaketa dhe çanta shpine pranë rrugës ku po zhvillohej gara.

Agjenti DesLauriers tha se fotot janë nxjerrë nga xhirimet e kamerave të sigurisë pranë vendit të incidentit:

“Është me rëndësi të theksojmë se pamjet e së hënës janë të pashlyeshme dhe tmerri i asaj dite do të qëndrojë me ne përgjithmonë. Ky fakt i jep rëndësi të veçantë detyrës sonë për të hetuar krimin me kujdes në mënyrë që të sjellim personat përgjegjës para drejtësisë”.

Dy shpërthimet ndodhën disa sekonda pas njëri-tjetrit pranë vijës së finishit të Maratonës së Bostonit, duke vrarë një djalë tetë vjeç, menaxheren e një restoranti dhe një studente pasuniversitare nga Kina që po studionte në Universitetin e Bostonit.
XS
SM
MD
LG