Lidhje

FBI rikonfirmon se nuk ka arsye për akuza ndaj zonjës Clinton


Drejtori i FBI-së, James Comey, i tha Kongresit se nuk e ka ndryshuar përfundimin e arritur në muajin korrik se kandidatja presidenciale, Hillary Clinton, nuk ka bërë asgjë kriminale duke përdorur emailet private gjatë kohës sa shërbente si sekretare e shtetit.

Comey i bëri këto komente në një letër të dielën, pasi që FBI shqyrtoi një grumbull emailesh të zbuluara gjatë një hetimi të veçantë që përfshinte ish ligjvënësin amerikan, Anthony Weiner, ish bashkëshorti i ndihmëses kryesore të zonjës Clinton, Huma Abedin.

Në letrën e tij drejtuar Kongresit, Comey tha se hetuesit "kanë punuar ditë e natë" për të shqyrtuar emailet e dërguara tek zonjë Clinton dhe prej saj në kohën kur ishte sekretare e shtetit. Gjykuar nga vlerësimet e tyre, tha ai, "nuk e kemi ndryshuar përfundimin e shpallur në muajin korrik rreth sekretares Clinton".

Comey tha në muajin korrik që ndonëse zonja Clinton mund të ketë qenë "jashtëzakonisht e pakujdesshme" në trajtimin e informatave të klasifikuara, nuk ka pasur synime kriminale.

Drejtori i komunikimeve në fushatën e zonjës Clinton, Jennifer Palmieri, u tha gazetarëve të dielën se kampi i zonjës Clinton "është i gëzuar që kjo çështje është zgjidhur. Jemi të gëzuar që ai (Comey), sikundër kemi qenë të bindur, ka konfirmuar përfundimet e arritura në muajin korrik".

Kandidati republikan, Donald Trump, reagoi duke thënë se Clinton po mbrohet nga "sistemi i manipuluar".

Anketat treguan një ngushtim të dallimeve në vota që kur Comey shpalli dy javë më parë se janë zbuluar emaile të reja të zonjës Clinton.

Trump e pa atë si një dhuratë, duke u thënë votuesve se rivalja që pëlqen ta quaj "Hillary e gërmuqur", do të akuzohet dhe do të përballet me hetime penale nëse zgjidhet.

Në më pak se dy ditë para se miliona votues amerikanë të hedhin votat e tyre, kampi i zonjës Clinton duhet se do të shfrytëzojë letrën e Comneyt si një dhuratë për ta.

Trump dhe Clinton kanë vetëm edhe një ditë të plotë që të bindin votuesit e pavendosur se kush do të marrë postin nga presidenti Barack Obama në janar.

Zonja Clinton u tha të dielën besimtarëve në një kishë afrikano-amerikane në Filadelfia se "këto zgjedhje janë për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndaluar lëvizjen për shkatërrimin e trashëgimisë së presidentit Obama. Në fakt, kjo ka të bëjë me ndërtimin mbi të arriturat dhe përparimin që kemi shënuar në tetë vitet e fundit. Kjo ka të bëjë me zgjedhjen e shpresës mbi frikën, bashkimit mbi ndarjet dhe dashurisë mbi urrejtjen. "

Fushata e zonjës Clinton do të përmbyllet të hënën në mbrëmje në Filadelfia më një tubim me yjet e udhëhequra nga ikona e rokut, Bruce Springsteen, duke përfshirë edhe familjet Obama dhe Clinton.

Zoti Trump pritet të kalojë një ditë të lodhshme të fushatës në pesë shtete që beson se do t'i fitojë, Florida, Krolinën e Veriut, Pennsylvania, New Hampshire dhe Michigan.

Ne kemi nevojë për një qeveri që do të punojë që në ditën e patë për popullin amerikan", tha ai të dielën. "Kjo do të jetë e pamundur me Hillary Clintonin...skandalet dhe kundërthëniet e saj do të vazhdojnë edhe gjatë presidencës së saj dhe do t'ia bëjnë praktikisht të pamundur qeverisjen".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG