Lidhje

Presidenti Obama emëron James Comey për drejtor të FBI-së

  • Kent Klein

Presidenti Barak Obama emëroi dje një ish-Zv/Prokuror të Përgjithshëm gjatë administratës së Presidentit Xhorxh Bush në postin e drejtorit të ri të FBI-së. James Comey do të zëvendësojë ish-shefin e FBI-së Robert Mueller:

Presidenti Obama shpreson se lidhjet që zoti Comey ka me republikanët dhe eksperienca e gjatë në organet e rendit do të ndihmojnë për të bindur Senatin se ai është kandidatura e duhur për të drejtuar FBI-në.

“Si Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm, ai ka ndihmuar në drejtimin e Departamentit të Drejtësisë me zotësi dhe mençuri, duke u ballafaquar me kërcënimet e njohura dhe ruajtjen e gatishmërisë për kërcënimet e reja që shfaqen. Ai është shumë i kualifikuar për të përballuar sfidat me të cilat ballafaquar FBI-ja”.

Që nga largimi nga Departamenti i Drejtësisë, zoti Comey ka qenë ndër të tjera një ndër drejtuesit e një kompanie private për mbrojtjen dhe këshilltar i një fondi investimesh në bursën e Nju Jorkut.

Zoti Comey do të zëvendësojë Robert Mueller, i cili e mori detyrën një javë para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti Obama e zgjati mandatin e zotit Mueller për dy vjet në 2011.

James Comey njihet për përplasjet që ka pasur me dy zyrtarë të administratës Bush në vitin 2004. Ai shkoi në spital të kontaktonte shefin e tij, John Ashcroft, për të mos lejuar që ndihmësit të merrnin miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm për të zgjatur një program që i jepte mundësi qeverisë të përgjonte telefonatat pa patur miratim nga gjykata.

Zoti Obama e përmendi këtë incident, duke lavdëruar James Comey dhe zotin Mueller për integritetin e tyre.

“Në momente vendimtare, me rëndësi kritike, ai u bashkua me zotin Mueller për të ngritur zërin për parimet e tij. Ai ishte gati të humbte punën që e donte, me kusht që të mos përziehej në diçka që e shihte si thellësisht të gabuar”.

FBI-ja mbulon operacionet e rendit dhe të zbulimit brenda vendit. Kjo agjenci është vënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit për rolin e saj në programet e përgjimit, përfshirë grumbullimin e tabulateve telefonike dhe komunikimeve me internet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG