Lidhje

Banka Qendrore diskuton normat e interesit


Tregjet financiare do të ndjekin këto ditë me vëmendje vendimet e Bankës Qendrore Amerikane pas takimeve sot dhe nesër për të analizuar nëse gjendja ekonomike është përmirësuar dhe nëse duhen rritur normat e interesit. Këto përqindje kanë qenë në nivel rekord të ulët që nga kriza financiare e 2008. Por analistët thonë se megjithë përmirësimin e ekonomisë amerikane, ende gjendja nuk është plotësisht e stabilizuar. Sipas tyre ka një numër rreziqesh të jashtme si për shembull ngadalësimi ekonomik i Kinës që mund ta trondisin ekonominë amerikane:

Shifrat zyrtare të Pekinit tregojnë se ekonomia kineze po rritet me afro 7%, por shumë pak e besojnë këtë statistikë. Richard Hunter punon në firmën e investimeve Hargreaves Lansdown në Londër.

“Në fakt disa nga kompanitë që zhvillojnë aktivitet në Kinë mendojnë se shifra reale është sa gjysma e asaj zyrtare”.

Kjo pasiguri është pjesërisht arsyeja e shtimit të shqetësimeve lidhur me ndikimin që do të ketë ulja e kërkesave nga tregu kinez tek ekonomia amerikane. Megjithë përmirësimet e ndjeshme në tregun e punës, fuqizimi i dollarit dhe iflacioni i ulët e bëjnë tregun amerikan më të prekshëm nga rreziqet e jashtme thotë guvernatorja e Bankës Qendrore Lael Brainard, e cila foli në takimin e Shoqatës Kombëtare të Ekonomisë për Biznesin:

“Duke pasur parasysh rreziqet, do të ishte veprim i mençur të vazhdojmë masat që mbështesin rritjen. Duhet të kemi kujdes që të mos eliminojmë para kohe mbështetjen që ka qenë me rëndësi kritike për vitalitetin ekonomik”.

Banka Qendrore nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rritjeje modeste të normave të interesit këtë vit, por Presidentja e shoqatës Lisa Emsbo-Mattingly thotë se Banka Qendrore mund ta ketë thelluar pasigurinë duke kapërcyer synimet në tregun e brendshëm për shtim punësimi dhe stabilitet çmimesh.

“Banka Qendrore ka shtuar një element të tretë – elementin ndërkombëtar dhe mendoj se tregjet e patën të vështirë ta gëlltisnin këtë fakt. Pra është një element paqartësie që mendoj se Banka Qendrore ka sjellë pa dashur në treg”.

Disa analistë thonë se nuk ka gjasa për rritje të normës së interesit në tetor, por ekziston mundësia që të ketë rritje në dhjetor. Në një ekonomi të ndërlidhur globale, ekspertët thonë se edhe ekonomia më e madhe e botës varet në një farë mase nga mbarëvajtja ekonomike e vendeve në zhvillim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG