Lidhje

Amerikanët mbi fenë islame


Një anketë e re tregon dallime të thella mes democratëve dhe republikanëve lidhur me mënyrën se si duhet ta adresojë presidenti i ardhshëm amerikan ekstremizmin islamik.

Qendra Kërkimore Pew arriti në përfundimin se 65% e republikanëve, apo atyre që anojnë nga krahu republikan, duan nga pasuesi i Presidentit Obama të flasë hapur për ekstremizmin islamik, edhe nëse deklaratat e tij do të jenë kritike për fenë islame në përgjithësi. Megjithatë, 70% e demokratëve, apo atyre që anojnë nga demokratët, mendojnë se presidenti i ardhshëm duhet të tregohet më i kujdesshëm me ato që thotë.

Në analizën e përgjithshme, gjysma e amerikanëve duan që presidenti i ardhshëm të mos fajësojë fenë islame në përgjithësi kur flet për ekstremizmin islamik.

Anketa, e cila u zhvillua muajin e kaluar, arrin gjithashtu në përfundimin se afro gjysma e atyre që morën pjesë besojnë se disa shtetas amerikanë të fesë islame kanë qëndrime anti-amerikane, përfshirë 11% të të anketuarve, të cilët besojnë se “thuajse të gjithë myslimanët” në Shtetet e Bashkuara janë anti-amerikanë.

Një anketë tjetër e zhvilluar në dhjetor nga Qendra Pew arriti në përfundimin se afro gjysma e amerikanëve mendojnë se feja islame ka më gjasa se çdo fe tjetër të nxisë dhunën, dhe një numër i ngjashëm të anketuarish shprehen shumë të shqetësuar për shtimin e ekstremizmit islamik në Shtetet e Bashkuara.

Por anketa e fundit nga organizata Pew zbulon se afro 2/3 e amerikanëve besojnë se problemi kryesor është se feja po përdoret nga individë të dhunshëm për të justifikuar veprimet e tyre.

Presidneti Obama vizitoi dje një xhami në Baltimorë në shtetin e Merilandit, ku pohoi se amerikanët myslimanë janë detyruar të durojnë një pikëpamje tepër të shtrembëruar për besimin e tyre, pas shtimit të dhunës nga ekstremistët islamikë.

XS
SM
MD
LG