Lidhje

Fëmijët e paregjistruar të emigrantëve do të ndihmohen nga konsullatat


Fëmijët e paregjistruar të emigrantëve do të ndihmohen nga konsullatat
Fëmijët e paregjistruar të emigrantëve do të ndihmohen nga konsullatat

Në Shqipëri, organizatat joqeveritare po ndihmojnë emigrantët që të riintegrohen në shoqëri. Organizata “Shërbimi Ligjor Falas” nënshkroi sot një marrëveshje me ministrinë e Jashtme për të shkëmbyer informacion dhe për të përfshirë konsullatat në pajisjen e emigranteve me dokumenta për regjistrimin e fëmijëve në gjendjen civile.

Gjatë viteve të tranzicionit dhe emigrimeve të ndryshme, shumë fëmijë emigrantësh nuk janë regjistruar në gjendje civile, duke humbur një mori të drejtash në të dy shtetet. Një numër i konsiderueshëm familjesh shqiptare u kanë mbetur fëmijët pa regjistruar në regjistrat e gjendjes civile, dhe kështu nuk mund të përfitojnë asnjë shërbim dhe kujdes shtetëror.

Drejtuesja e organizatës “Shërbimi Ligjor Falas”, Rajmonda Bozo, thotë se sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me ministrinë e jashtme, konsullatat shqiptare do të përfshihen në ndihmën ndaj këtyre familjeve. Zonja Bozo thotë se pengesat më të mëdha në regjistrimin e fëmijëve në Shqipëri i hasin emigrantët e kthyer që nuk kanë dokumenta për fëmijët e lindur jashtë vendit. Organizata e saj ka ndihmuar falas rreth 500 raste të fëmijëve të paregjistruar, madje problemi është i vjetër, qysh nga fillimet e tranzicionit. Qytetet ku dukuria është më e përhapur janë Shkodra, Korça, Elbasani, Lushnja dhe Berati, ndërsa shtetet më problematike janë Greqia, dhe më pak Italia dhe Britania e Madhe.

“Aktualisht ka edhe prindër të paregjistruar, dikur fëmijë emigrantësh, që tani nuk regjistrojnë dot fëmijët e tyre. Ata duhet të kthehen në shtetet ku kanë lindur dhe të kërkojë dokumentat e lindjes, që është një procedurë e kushtueshme në kohë dhe në të ardhura. Marrëveshja e sotme e kthen këtë proces në një detyrë për konsullatat shqiptare, dhe një shërbim që vjen falas edhe nga shteti respektiv”, thotë zonja Bozo.

Zyrtarët shqiptarë thonë se ky është një proces ku po bashkëpunojnë shumë institucione shtetërore dhe shoqëria civile. Ministria e jashtme u angazhua për të ndihmuar emigrantët shqiptarë kudo në botë përmes rrjetit konsullor, duke shtuar numrin dhe cilësinë e shërbimeve dhe duke ulur kostot e tyre. Zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha se po studiohet mundësia e hapjes së konsullatave të reja në vendet ku ka më shumë emigrantë shqiptarë, si në Kretë të Greqisë.

“Kjo marrëveshje ëshë një hap tjetër konkret i rëndësishëm sa u takon shërbimeve që ministria e punëve të jashtmë ofron nëpërmjet rrjetit konsullor për qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht për një kategori të caktuar që i kanë lindur fëmijët e tyre jashtë shtetit dhe kanë probleme me dokumentat e tyre të lindjes”, tha zoti Haxhinasto.

Ekspertët thonë se mos-regjistrimi në gjendjen civile është një problem që rëndon mbi të drejtat e fëmijëve, sepse kështu fëmijët nuk gëzojnë të drejta as në vendin ku ka kanë lindur as në vendin ku jetojnë. Ka ndodhur që një nënë ka 3 fëmijë të paregjistruar, dhe ajo nuk konsiderohet kryefamiljare, duke e bërë të pamundur mbijetesën e familjes së saj, sepse pa një certifikatë dhe pa librezë vaksinimi, ajo nuk merr dot asnjë shërbim mjekësor, asnjë ndihmë sociale dhe nuk paraqitet dot në asnjë çerdhe, kopsht, apo shkollë.

XS
SM
MD
LG