Lidhje

Ferma të vogla apo të mëdha?


Ndërsa kërkesa për mish, qumësht dhe vezë rritet në mbarë botën, mënyra e prodhimit të këtyre produkteve po ndryshon nga prodhimi në shkallë të vogël në atë në shkallë industriale. Në Shtetet e Bashkuara ky tranzicion tashmë ka ndodhur. Por kjo ka krijuar gjithashtu një lëvizje në drejtimin tjetër, me njerëz që preferojnë produktet e prodhuara në nivel lokal.

Disa baraka të vjetra e të ndryshkura janë gjithçka ka mbetur nga ditët kur James Lamb rriste derra jashtë shtëpisë së tij në Clinton, të Karolinës së Veriut.

"Kjo strukturë është vendi ku qëndronte nëna dosë."

Por zoti Lamb vuri re që fermerët e vegjël e kishin të vështirë të konkurronin me kompanitë e mëdha.

"Ato kishin vazhdueshmëri të mirë, cilësi më të mirë të mishit të derrit dhe gjenetikë më të mirë. Prandaj pas universitetit, në vitin 1998, vendosa të përpiqesha të modernizoja biznesin tim."

Ai hoqi dorë nga rritja e kafshëve në oborrin e shtëpisë dhe ndërtoi dy hambarë në shkallë industriale, me një kapacitet prej 1 mijë e 500 derrash secili.
Pothuajse i gjithë mishi i derrit në Shtetet e Bashkuara prodhohet në këtë mënyrë. Efikasiteti i prodhimit në shkallë të gjerë dhe në mjedis të kontrolluar ka ndihmuar në uljen e çmimit të një bërxolle derri me gati 20 për qind që nga viti 1998. Zoti Lamb thotë se është një vlerë e leverdisshme.

"Kjo mënyrë prodhimi ofron një cilësi më të mirë të mishit të derrit për një shumë të caktuar parash."

Këto metoda efikase e intensive rritjeje po përdoren gjithnjë e më tepër në të gjithë botën. Shumë ekspertë thonë se kjo është një gjë e mirë. Kërkesa për mish është në rritje, por toka, uji dhe ushqimi i nevojshëm për prodhimin e tij janë të kufizuara, thotë ekspertja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë Carolyn Opio.

"Nëse duhet të prodhojmë brenda kufizimeve me të cilat përballemi, mendoj se efikasiteti është element kyç."

Por efikasiteti ka dobësitë e veta. Mbeturinat e mijëra kafshëve të mbyllura mund të ndotin ujërat apo të prodhojnë gazra serrë. Disa ekspertë të shëndetësisë ngrenë shqetësime lidhur me antibiotikët dhe kimikatet e tjera të dietave të kafshëve. Ndërsa njerëz të tjerë mendojnë se kushtet janë torturuese.
Prandaj, një numër në rritje fermerësh si Kevin Summers në Amissville të Virxhinias, po rikthehen tek bujqësia në shkallë të vogël.

"Për të ushqyer botën, mendoj se kjo është një mënyrë më e mirë. Është një mënyrë më e pastër. Një mënyrë më njerëzore."

Gjithnjë e më shumë amerikanë duan të dinë se prej nga vjen ushqimi i tyre. Dhe atyre u pëlqen mënyra se si zoti Summers trajton kafshët e tij.

"Mund të shihet i tërë procesi dhe kështu mësohet se ata trajtohen mirë dhe janë të shëndetshëm."

Derrat festojnë me mollë të shtypura dhe kunguj të prishur që përndryshe do të hidheshin. Kjo pakëson mbeturinat e ushqimit. Dhe zoti Summers vë në dukje se rritja e kafshëve në shkallë të vogël sjell më pak ndotje.Por kjo mënyrë sjell dhe çmime më të larta. Kevin Summers thotë se është ende e mundur që kërkesa globale të përmbushet në këtë mënyrë.

"Për këtë do të duhej që njerëzit të rrisnin vetë kafshët për ushqimin e tyre ose të zgjidhnin të blinin këtë lloj ushqimi, duke mos u interesuar vetëm për koston."

Ndërkohë, pasojat që të dyja sistemet paraqesin për planetin mbeten një temë e nxehtë debati.
XS
SM
MD
LG