Lidhje

SHBA: Ferma e periudhës koloniale Claude Moore


Në rrethinat e Uashington, ekziston një zonë ku duket sikur koha është ndalur prej më shumë se 2 shekujsh. Ferma koloniale Claude Moore është një park kombëtar në zonën McLean të Virxhinias, e cila të kujton jetën në një fermë të vitit 1771. Pjesa më e madhe e banorëve të Virxhinias në atë kohë ishin fermerë qeraxhinj, të cilët merreshin me kultivimin e duhanit për të paguar qeranë dhe për të jetuar. Madeeha Anwar e Zërit të Amerikës kaloi një ditë në këtë fermë për të mësuar më shumë rreth jetës së amerikanëve në fund të shekullit të 18-të.

Kur viziton fermën Claude Moore të epokës koloniale, njeriu hyn në jetën e përditshme, që bëhej para gati 2 shekujsh e gjysmë, në një kohë kur kjo pjesë e Amerikës ishte nën sundimin britanik.
Jeta nxirrej me punën në bujqësi. Njerëzit punonin nga agimi në muzg dhe në koloninë e Virxhinias, ata e kalonin pjesën më të madhe të kohës duke kultivuar duhanin.

Shërbimi Amerikan i Parqeve e krijoi këtë fermë në vitin 1976, pak para festimeve me rastin e 200 vjetorit të krijimit të Shteteve të Bashkuara, por menaxheri i fermës, Jon David Engle thotë se ajo administrohet nga një firmë private, ndryshe nga çdo park tjetër kombëtar i Amerikës.

“Në vitin 1980, administrata e parqeve tha se nuk mund ta mbante më parkun. Njerëzit që punonin aty dhe një grup vullnetarësh u takuan me anëtarin e Kongresit dhe arritën një marrëveshje me Shërbimin Amerikan të Parqeve”.

Personeli i parkut dhe vullnetarët portretizojnë familjen Bradley, një prej familjeve që jetuan në fakt në këtë zonë të Virxhinias në shekullin e 18-të.
Ata mblidhen në mëngjes për të filluar ditën e punës. Secili ka një detyrë të caktuar. Gratë shkojnë në kopësht për të mbjellë të korrat për sezonin e ardhshëm.

“Tani vajzat e mija po punojnë në kopësht, Martha më e madhja dhe Sally më e vogla. Ato po mbjellin të korrat e vjeshtës, si bizele, spinaq dhe lakra, gjithëfarë perimesh të gjelbra”.

Heather Bodin ((boe-DEEN)) portretizon "Lydia", gruan e fermerit. Ajo thotë se ferma ofron një përvojë të veçantë për vizitorët, veçanërisht për fëmijët.

“Më pëlqen sidomos të tregoj për një djalë të vogël, i cili për herë të parë mësoi këtu se pula që ata hanin për darkë vinte nga pulat që rriteshin në fermë. Ai nuk kishte parë asnjëherë pula të gjalla, por vetëm të paketuara në dyqan gati për t’u shitur”.
Familja mblidhet rreth një tryeze druri për të ngrënë drekë dhe më pas Richard Bradley dhe fëmijët shkojnë përsëri në fushën e duhanit. Ai e paguan pronarin e tokës me duhanin që kultivon, rreth 250 kile duhan për qeranë e tokës.

“Duhet t’i paguajë pronarit 250 kile duhan në vit. Pra nëse unë rris 300 kile, më mbeten për vete vetëm 50, nëse rris 1100, më mbeten 300 kile. Dhe në një rast të tillë ky do të ishte një vit i mbarë dhe unë mund t’i blej gruas një fustan. Por duhani duhet inspektuar dhe peshuar; ka edhe kontrolle të rrepta për kultivimin e tij”.

Vizitorët e shekullit të 21 mund të përjetojnë shekullin e 18-të për pak orë ose mund të përjetojnë jetën e përditshme në Amerikën koloniale, duke kaluar një fundjavë me familjen Bradley. Ferma Claude Moore sjell në jetë historinë amerikane për qindra vizitorë çdo vit.
XS
SM
MD
LG