Lidhje

Përmbytjet sfidë për fermerët amerikanë


Fermerët në perëndim të Shteteve të Bashkuara janë të shqetësuar për të lashtat e tyre. Për shkak të shirave dhe përmbytjeve ata nuk kanë filluar mbjelljen e kulturave bujqësore. Kjo ndodh pas thatësirave rekord të vitit të kaluar, të cilat dëmtuan misrin dhe sojën në disa nga fushat më pjellore të vendit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, fermerët në Ilinoi po ndjekin nga afër ngritjen e nivelit të ujërave ndërkohë që stina e mbjelljeve po afron.

Në tokën e tij pranë qytetit Peoria, Darrel Kammeyer shikon nga afër fryerjen e lumit Ilinoi dhe argjinaturën me lartësi prej 7 metrash, e cila ndan lumin nga arat e tij.

“Ajo u ndërtua për të mos lejuar përmbytjen e tokës bujqësore nga lumi Ilinoi”.

Ndërkohë që niveli i ujit po rritet, zoti Kammeyer po e kontrollon me kujdes gjendjen e argjinaturave me makinën e tij. Niveli i ujit tani është vetëm gjysëm metër nga tejkalimi i argjinaturës. Zoti Kammeyer thotë se ai nuk shqetësohet nga uji që mund të rrjedhë mbi argjinaturën, por më shumë nga uji që mund kalojë nën të.

“Tani për tani ne po shikojmë nga afër nëse uji ka filluar të depërtojë nën argjinaturë. Pra, ne po shikojmë nëse disa pjesë të argjinaturës kanë filluar të dëmtohen”.

Zoti Kammeyer e di se nëse uji dëmton argjinaturat ai nuk do të jetë në gjendje të punojë tokën e tij. Deri tani ai nuk është ndikuar nga përmbytjet e lumit Ilinoi, por Peoria nuk ka pasur të njëjtin fat. Disa pjesë të qendrës së qytetit janë përmbytur nën disa metra ujë. Edhe qytete të tjera përgjatë lumit kanë pësuar të njëjtin fat.

“Përmbytjet e fundit kanë ndodhur më 1943 dhe kanë thyer të gjitha rekordet”.

Mike Zerbonia është menaxher i operacioneve për Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë në lumin Ilinoi. Zyra e tij ishte viktimë e përmbytjeve. Ai thotë se ndikimi i menjëhershëm i përmbytjeve është ndërprerja e eksportit të mallrave.

“Çeliku, misri, qymyri dhe betoni nuk mund të transportohen tani. Për shkak të nivelit të lartë të ujit trafiku i anijeve është ndërprerë”.

“Vështirësitë në transportimin e misrit përmes lumit kanë ndikim të çmimet sepse me rritjen e kostos së transportit rritet edhe çmimi i misrit”.


Por ka një të mirë nga stuhitë, thotë analisti i prodhimeve bujqësore, Ken Smithmier.

“Mendoj se në treg ekziston ndjenja se pas thatësirave shiu është i nevojshëm. Pra nga kjo pikëpamje gjërat janë përmirësuar. Por fermerët duhet të fillojnë mbjelljen në këto fusha. Kemi kaluar kohën mesatare të fillimit të mbjelljes së kulturave bujqësore për këtë vit”.

“Tani jemi dy deri tre javë prapa”.


Fermeri Darrel Kammeyer shikon nga e ardhmja dhe shpreson që shumë shpejt fushat e tij do të thahen në mënyrë që ai të fillojë mbjelljen e tyre me kultura bujqësore. Ai shpreson se ky sezon do të sjellë rendimente më të larta të produkteve bujqësore të nxitura nga sasia e mjaftueshme e shiut.
XS
SM
MD
LG