Lidhje

Fermerët të parët që ndjejnë efektet e klimës


Fermerët janë të parët që ndjejnë efektet e ndryshimeve të klimës. Për shumë prej tyre në vendet në zhvillim, drithërat tek të cilat ata mbështeten vit pas viti nuk janë në sasira të mëdha. Si rezultat, fermerët nuk përpiqen vetëm për varietete të reja drithërash, por edhe për varietete të vjetra. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xho De Kapua na sjell hollësi.

Ndryshimi i klimës dhe sigurimi i ushqimit janë të lidhura ngushtë. Ngritja e temperaturave nëpër botë ka sjellë thatësira në disa rajone dhe më shumë përmbytje në të tjera. Po ashtu ekziston mundësia e rreziqeve nga insekte të reja dhe nga sëmundjet e bimëve.

Në përgjigje, fermerët përpiqen të kultivojnë drithëra që kanë dhënë rendiment në rajone të tjera të vendit ose mund të shikojnë historinë e tyre.

Fondi i Shumëllojshmërisë së Farërave është një organizatë që mbledh, ruan dhe mirëmban të gjitha materialet e papërpunuara gjenetike që përdoren në bujqësi. Ndihmës drejtorja ekzekutive Paula Bramel thotë se kjo organizatë është e vetmja në botë që e bën këtë.

“Mjedisi po ndryshon deri në atë pikë saqë fermerët nuk mund t’i ruajnë më farërat e varieteteve të ndryshme si më parë. Kjo është në fakt një humbje pasi një varietet i caktuar mund të ketë veti me rëndësi kritike për të ardhmen. Por nëse ai nuk mblidhet dhe ruhet, nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Në pjesën më të madhe të Afrikës kjo po ndodh”.

Ajo thotë se është me rëndësi që varieteti i drithërave të ruhet sepse nuk i dihet se kur një prej tyre mund të nevojitet.

“Ne punojmë gjithashtu për t’u siguruar se si drithërat ashtu edhe format e egra të tyre të ccilat rrezikojnë të zhduken, të ruhen, në mënyrë që të jenë në dispozicion për të ardhmen”.

Drithërat e të shkuarës mund të bëhen drithëra të së ardhmes dhe mund të jenë shumë të dobishme për fermerët që i kultivojnë ato për sa i përket përfitimit. Kjo është një prirje që vihet re edhe në mjaft pemë frutore.

Më parë ka patur një prirje për më pak varietete pasi fermerët përqendroheshin në procesin e të korrave dhe rendimentin. Por Bramel thotë se kjo prirje po ndryshon.

“Këta fermerë erdhën tek ne kur unë punoja në Indi dhe kërkuan farëra të drithërave që kultivoheshin më parë. Ata kishin hequr dorë nga kultivimi i tyre pasi donin të kultivonin oriz pasi mendonin se do të bënin më shumë fitim prej tij. Por kur e kuptuan se nuk mund të bënin fitimin që prisnin, ata ishin të interesuar t’u ktheheshin varieteteve tradicionale të ushqimit si në të kaluarën”.

Fondi i Shumëllojshmërisë së Farërave thotë se farërat dhe materialet bimore ruhen në një depo të sigurt në Svalbard, një ishull i largët mes Norvegjisë dhe Polit të Veriut, që është ndërtuar për t’i rezistuar si fatkeqësive natyrore ashtu edhe atyre të shkaktuara nga njeriu.
XS
SM
MD
LG