Lidhje

SHBA: Fermerët mbështesin ndryshime në ligjin për fermat

  • Kane Farabaugh

Ligji amerikan për fermat skadon në fund të muajit shtator. Ligji me emrin zyrtar Akti i Ushqimit, Ruajtjes dhe Energjisë përtërihet çdo pesë vjet. Ligji drejton politikat e qeverisë amerikane mbi ushqimin dhe bujqësinë. Siç njofton nga Ilinoi korrespondenti i Zëri të Amerikës Kane Farabaugh, ndryshimet në ligjin për fermat këtë vit vijnë në një kohë kur fermerët mund të kenë nevojë më së shumti.

Fermeri nga Ilinoi Matt Hughes po punon në një nga stinët me thatësirat më të mëdha që ai ka përjetuar ndonjëherë.

“Mbijetesa deri vitin e ardhshëm është shumë e rëndësishme”.

Kushtet e thatësirës nuk janë të reja për zotin Hughes, por ai gjithmonë ka pasur ndihmë nga qeveria, në formën e pagesave të drejtpërdrejta nëpërmjet ligjit për fermat.

“Kur përballemi me sfida si moti i keq ose rëniet e mëdha të tregut që ne nuk mund t’i parashikojmë, është mirë të kesh njëfarë rrjeti të vogël sigurie sa për ta marrë veten deri vitin e ardhshëm”.

Por ndryshimet e propozuara në ligjin për fermat, që do të shqyrtohet në shtator, do t’i japin fund pagesave direkte për fermerët, për të cilën zoti Hughes nuk ka asnjë kundërshtim.

“Shumica jonë do të donim të shihnim ndryshime në ligjin për fermat”.

Matt Hughes dhe shumica e fermerëve duan të shohim subvencionim nga qeveria të sigurimeve për kulturat bujqësore që ofrojnë mbrojtje në kohë fatkeqësish natyrore.

“Sigurimi i kulturave bujqësore është shumë i rëndësishëm”.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Tim Johnson nga Illinoi bën pjesë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Bujqësinë dhe po punon për hedhjen në votë të ligjit për fermat.

“Mendoj se fermerët duan të sigurohen që ne të mbajmë në fuqi rrjetin e mbrojtjes. Edhe unë jam dakord më këtë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kohët janë të mira tani, pavarësisht nga thatësira, por do të ketë rritje të kostos dhe unë mendoj se krijimi i një rrjeti sigurie është shqetësimi më i madh i fermerëve”.

Por kritikët e ndryshimeve të propozuara në ligjin për fermat thonë se kostoja për taksapaguesit për sigurimin e kulturave bujqësore është shumë e lartë.
Ka gjithashtu shqetësime se sigurimi i kulturave bujqësore ndikon në çmimin e pasurive të patundshme dhe çmimet e mallrave, thotë Terry Roggensack, specialist gruri në Hightower Report.

“Po flitet shumë se ato kanë bërë që vlera e tokës të qëndrojë në nivele të larta, sepse edhe në një vit me thatësira si ky, ku një prodhues i madh, edhe nëse ka sigurim të kulturave bujqësore, ata mund të përballojnë një vit si ky në të cilin vlera e kulturave bujqësore është e madhe për shkak të rritjes së mjaftueshme të çmimeve. Përsëri do të përballeni me këto çështje”.

Senati miratoi ligjin për fermat në fillim të këtij viti. Kjo masë i ka dhënë fund pagesave të drejtpërdrejta dhe subvencionon sigurimin e kulturave bujqësore, duke u kursyer taksapaguesve rreth 23 miliard dollarë. Por kjo masë nuk përputhet me legjislacionin e Dhomës së Përfaqësuesve, dhe ligjvënësit duhet të arrijnë një kompromis para se Presidenti Obama ta nënshkruajë atë.

“Herët a vonë duhet të arrihet një kompromis, sepse ligji do të skadojë në fund të shtatorit. Ne ose duhet ta shtyjmë për pak muaj, veprim që unë e kundërshtoj ose duhet të miratojmë ligjin për fermat”.

Ligji për fermat është tani më i rëndësishëm se kurrë më parë, sepse fermerët po përballen me kushtet më të rënda të thatësirës në 20 vjet.
XS
SM
MD
LG