Lidhje

Shqipëria feston Bajramin


Atmosfera e festës në kryeqytet dhe veri e jug të vendit

Besimtarët muslimanë shqiptarë festuan sot Fiter Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Ata u mblodhën me qindra e mijëra pranë objekteve të tyre të kultit për të gëzuar me njëri-tjetrin dhe për të dëgjuar fjalimet e oratorëve fetarë pasi kaluan me sukses një muaj plot sakrifica me agjerimin e Ramazanit.

Qysh herët në mëngjes xhamitë dhe sheshet e kryeqytetit shqiptar ishin mbushur plot me besimtarë të gjitha moshave, fëmijë, të rritur e të moshuar, burra e gra për të uruar njëri tjetrin për shumë vjet Fiter Bajramin. Kryetari i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, haxhi Selim Muça uroi besimtarët dhe theksoi se Ramazani dhe Bajrami kanë lënë gjurmë të thella në jetën e shqiptarëve dhe të muslimanëve.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, uroi besimtarët për Fiter Bajramin. Zoti Nishani tha se ishte kënaqësi dhe nder që urimin e parë si president ua dërgontë besimtarë muslimanë shqiptarë kudo ku janë. “Me rastin e kësaj feste të madhërishme, uroj për më shumë paqe, tolerancë, begati, harmoni dhe shëndet! Të dashur motra e vëllezër myslimanë shqiptarë! Nëpërmjet besimtarëve myslimanë gjej rastin të uroj të gjithë popullin shqiptar që ka shfaqur gjithmonë një nga virtytet e tij më të mëdha, bashkëjetesën fetare! Besimi është një nga cilësitë më të çmuara që ka njeriu dhe që e ka çuar njerëzimin përpara. Le ta ruajmë këtë besim në breza dhe ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin” - tha zoti Nishani.

Besimtarët muslimanë shqiptarë morën po ashtu urime nga kryeministri Sali Berisha dhe autoritete të tjera të larta shtetërore dhe politike. Të gjithë vlerësuan sakrificat e tyre gjatë Ramazanit, duke vlerësuar bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare si një nga vlerat më të veçanta të popullit shqiptar. Besimtarët muslimanë zënë pjesën dërrmuese të popullatës, megjithatë ata jetojnë në harmoni me komunitetet e tjera fetare ortodokse dhe katolike. Asnjë herë në historinë e saj, thonë studiuesit, Shqipëria nuk ka regjistruar konflikte ndërfetare, një shembull që mund të shfrytëzohet edhe nga shtete të tjera.

Edhe në Shkodër, besimtarët muslimanë u mbodhën në mëngjes për të nisur festimet e Fitër Bajramit. Muftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, u bëri thirrje që të ruajnë dhe dëshmojnë besimin e tyre islamë, si mundësi për të përmirësuar jetën në familjet e tyre dhe në mbarë vendin.




Besimtaret myslimane shenuan edhe ne Jug te Shqiperise festen. Në Xhaminë e Pazarit në Gjirokastër dhe në objekte të tjera të fesë islame në këtë rajon besimtarët falën namazin e Bajramit me Madh. Në objektet e kultit u ve re një prani e rritur e të rinjve , e cila dëshmon sipas klerikëve adhurimin ndaj fesë dhe besimit prej brezit të ri. Pas 30 ditë agjërimi të Muajit të Ramazanit besimtarët u falen për ditë me te mira ne familjet e tyre . Gjatë ditës besimtarët myslimanë në Gjirokastër e kanë kalur festën e Fiter Bajramit me drekën tradicionale. Besimtarët ftojnë të afërmit për kaluar këtë ditë gëzimi që simbolizon dhe sakrificen e tyre . Si edhe vitet e tjera besimtarët myslimanë ndajnë në këtë ditë të shënuar për ta edhe urime me besimtarët e feve të tjera. Harmonia ndërfetare është një vlerë që transmetohet sidomos në ditë te tilla të festave në këtë rajon.
XS
SM
MD
LG