Lidhje

Festat e fundvitit, mbizotërojnë ngjyrat metalike


Festat e fundvitit, mbizotërojnë ngjyrat metalike
Festat e fundvitit, mbizotërojnë ngjyrat metalike

Shkëlqim dhe xixa, kjo është prirja e zbukurimeve festive këtë vit në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara. Përgatitjet e Krishtlindjeve e Vitit të Ri janë drejt fundit dhe ata që duan të dinë prirjet dhe modën e zbukurimeve këtë vit, duhte të mendojnë për objekte e zbukurime me ngjyra dhe përbërje metali.

Shkëlqimi është i pranishëm këtë vit në zbukurimet e festave. Zbukurimet e tryezava të festave janë me tone njëngjyrëshe dhe mbizotërojnë në to ngjyra e florinjtë, e argjendtë si dhe grija e kromit. Ngjyrat tradicionale, e kuqe dhe e blertë, do të jenë të pranishme por vendin kryesor këtë vit e kanë ngjyrat e metalit.

Alison Levine është zëvendës presidente e firmës “Sales Bon Gail Special Events” që merret me organizimin e festave të ndryshme.

“Këtë vit shohim shumë ngjyrën e argjendtë, kallajin e plumbin, të artat si dhe një përzierje dekorimesh me bazë metalike, një element që nuk e kemi hasur më parë”.

Por ndonëse ka vezullim e shkëlqim, këtë vit ka më pak zbukurime. Situata e paqartë ekonomike, papunësia dhe paqëndrueshmëria në tregun e letrave me vlerë ka bërë që konsumatorët të jenë të kujdeshëm me shpenzimet.

Sipas Federatës Kombëtare të Shitjeve me Pakicë, shpenzimet për festa e Krishtlindjeve këtë vit janë rritur 2.8% krahasuar me vitin e kaluar, dhe janë shumë më mirë krahasuar me vitin 2008 kur rënia ishte 4.4%.

Qirinjtë e artë e ngjyrë argjendi, shandanë të artë, unazat e pecetave ngjyrë argjendi, si dhe pjata me dizenjo në ngjyra metalike do të jenë këtë vit pjesë e tavolinave të festës.

Brinkli King, pianiste në Hollivudin Perëndimor thotë se vezullimi është ngado që të shohësh:

“Kam parë shumë gjëra vezulluese. Shandanë, qirinj, çdo gjë zbukuruese ndriçon”.

Kevin Friman , është producent televiziv :

“Kam dalë për të bërë blerjet e festës me gruan. Çdo gjë është me xixa dhe shkëlqim. Blemë disa objekete zbukuruese dhe kur i pamë në shtëpi edhe ato ishin me shkëlqim. Në fakt nuk donim t’i merrnin me xixa , por gjithsesi shkojnë me këtë festë”.

Një tjetër prirje zbukuruse është ajo që në Los Angelos quhet “modë” e kombinuar me “përgjegjësinë”- objekte zbukuruese që prodhohen nga metalet e përdorura .

Ngjyrat e tavolinës së festës këtë sezon janë të ndezura: vjollcë e thellë me të blertë dhe gurkali.

Moda e elementëve metalikë duket edhe në zbukurimet e pemëve të Krishtlindjes. Kjo është pema në Nju Jork, 32 metra e lartë. Pema dhe mjedisi rreth saj është dekoruar me drita dhe topa zbukurues.

Por pavarësiht të gjitha prirjeve që shkojnë e vijnë, ai që nuk ndryshon asnjëherë është kostumi i kuq i babagjyshit të Vitit të Ri, i cili pritet me gëzim nga fëmijë e të rritur.

XS
SM
MD
LG