Lidhje

Festivali i Shkencës dhe Inxhinierisë në Uashington

  • Suzanne Presto

Arsimtarët në Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta bëjnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën sa më tërheqëse për nxënësit. Organizatorët e Festivalit të Shkencës dhe Inxhinierisë, të zhvilluar ditët e fundit në Uashington, shpresojnë se stendat inter-aktive do t’i shërbejnë këtij qëllimi.

Për fëmijët festivali është një aktivitet argëtues. Por përmes sferave të mermerit në të ashtu-quajturën “Makina e Kaosit” ata mësojnë parimet e fizikës, forcën e rëndesës dhe plot gjëra të tjera, thotë organizatori i stendës Tony Montuori:

“Fëmijët mësojnë aftësi të vlefshme për inxhinierinë, pasi fillojnë t’i bëjnë vetes pyetje: Si ndodhi problemi? Si mund ta ndreq?”

Organizatorët kanë prezantuar objekte nga më të ndryshme që nga makinat robotike, e deri tek elementë të sondave të Marsit. Nga evolucioni i njeriut deri tek anatomia njerëzore. Ekspozitat përfshinin robotë që kontrollohen nga ndjesorë të vendosur mbi rroba ose nga IPadi.

Anousheh Ansari ka shkuar në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor me shpenzimet e veta dhe shpreson se do t’i frymëzojë nxënësit:

“Mendoj se është një aktivitet i mrekullueshëm ku nxënësit njihen me aspekte të ndryshme të shkencës dhe mund t’u lindin ide për karrierën në të ardhmen, pra gjërat që mund të bëjnë kur të dalin në punë”.

Ka plot interes për gjeneratën e ardhshme të kapsulave hapësinore të NASA-s. Andrew Clancy është një i ri 14-vjeçar:

“Më vjen mirë që programi hapësinor vazhdon. Më dukej sikur kishte përfunduar plotësisht, por e shoh që vazhdon dhe ecën shumë mirë”.

Vizitorët kanë rastin të shohin kabinën e pilotit të një avioni luftarak F-16 si dhe avionë të telekomanduar apo robotë nga më të ndryshmit. Daria Jordan e Universitetit Spelman tregon robotin që ka programuar:

“Projektit i vura emrin Beyoncebot. Është një robot humanoid i ndërtuar për të luftuar obezitetin tek fëmijët”.

Vizitorët patën rastin të lëvizin mbi ujë, si dhe të ndjejnë forcën e ajrit në një simulant uraganësh.

Të apasionuarve të shkencës iu dha mundësia të dëgjojnë edhe vërejtje nga një figurë historike, Albert Ainshtaini.

“Kriza më e madhe në Amerikë nuk është buxheti. Buxheti është vetëm problem shifrash, që do të zgjidhet në të ardhmen. Kriza më e madhe është se të rinjtë e të rejat nuk studiojnë shkencat ekzakte”.

Organizatorët e festivalit thonë se qëllimi është që fëmijët të entuziazmohen nga puna e shkencëtarëve dhe inxhinierëve, ashtu siç frymëzohen nga artistët e Hollivudit apo sportistët.


XS
SM
MD
LG