Lidhje

Fibroza cistike dhe analiza e re e tensionit të gjakut


Fibroza cistike dhe analiza e re e tensionit të gjakut
Fibroza cistike dhe analiza e re e tensionit të gjakut

Ka shpresë të re për ata që vuajnë nga një formë e rrallë e fibrozës cistike. Agjencia amerikane e Ushqimeve dhe Barnave miratoi ilaçin e parë që trajton shkakun kryesor të fibrozës cystike; sëmundje që grumbullon mukus në mushkëri dhe organe të tjera, duke çuar në infeksione, probleme të tretjes dhe vdekje në moshë të re.

Miratohet një ilaç kundër Fibrozës Cistike

Sipas statistikave, një jetë tipike me fibrozë cystike zgjat jo më shumë se 37 vjet.

Ilaçi i miratuar dje (31 Janar) është për pacientët me një formë të rrallë të fibrozës cystike; formë që prek rreth 30-mijë amerikanë mes atyre që vuajnë nga kjo sëmundje.

Gjeni që shkakton fibrozën cystike u identifikua për herë të parë në vitin 1989, por shkencëtarëve iu desh më shumë se dy dekada dhe më shumë se 75 milionë dollarë fonde dhuruese për të zhvilluar një ilaç për trajtimin e sëmundjes.

Sot, falë diagnostikimit të herëshëm dhe një përqëndrimi të ri në dietë dhe fizioterapi, 47 përqind e pacientëve me fibrozë cystike mund të arrijnë të mbushin 18 vjeç e më shumë.

FDA e ka miratuar ilaçin e ri për përdorim tek pacientët 6 vjeç e lart, edhe pse kompania farmaceutike Vertex ka në plan të kryejë studime për përdorimin e ilaçit për pacientë që në moshën 2 vjeç.

Shkencëtarët shpresojnë se duke e përdorur herët ilaçin e ri, ata do të jenë në gjendje të parandalojnë dëmtimin e përhershëm të mushkërive. Dëmtimi i përherëshëm i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjes për pacientët me fibrozë cystike.

Zbulimi i sëmundjeve kardiovaskulare

Një analizë farë e thjeshtë mund të zbulojë një vrasës të heshtur. Të gjithë kanë provuar; sa herë që shkojnë tek mjeku, gjëja e parë është matja e presionit të gjakut. Por një studim i ri tregon se matja e presionit të gjakut në të dy krahët mund të zbulojë sëmundje kardio-vaskulare. Këto sëmundje godasin çdo vit miliona vetë, shpesh pa ndonjë simptomë

Kardiologu Oskar Garfein në spitalin Saint Luke’s Roosevelt në Nju Jork ka qenë prej kohësh një përkrahës i kontrollit të presionit të gjakut në të dy krahët. Sepse në këtë mënyrë ai shpëtoi jetën e një pacienti kur zbuloi se presioni i gjakut në njërin krah ishte shumë i ulët, ndërsa në krahun tjetër ishte normal. Kjo e ndihmoi mjekun për të arritur në një diagnozë, e cila po të mos ishte zbuluar në kohë mund të kishte shkaktuar vdekjen.

Prandaj doktor Garfein nuk u befasua kur u njoh me studimin e botuar këto ditë në revistën Lancet, ku thuhet se dallimi në presionin e gjakut ndërmjet krahut të majtë dhe të djathtë, mund të jetë një shenjë e sëmundjeve të zemrës.

Studimi zbulon se një ndryshim më shumë se 15 në numrin sistolik, që është numri më i lartë , mund të tregojë;

- Një ngushtim të arterieve të këmbëve

- Pakësim në rrjedhjen e gjakut në tru

- Sëmundje në zemër

Kushte të tilla sjellin një rritje 70% të gjasave për të vdekur nga goditje në zemër ose në tru

Shumë kardiologë, në mënyrë rutinore ua kontrollojnë pacientëve presionin e gjakut në të dy krahët. Kjo praktikë është më pak i zakonshme në kontrollet e rregullta mjekësore.


Një analizë e re parashikon mbijetesën me kancer në mushkëri

Një analizë e re për kancer të mushkërive mund të parashikojnë se cilët pacientë kanë rrezikshmëri të lartë për përsëritjen e kancerit të tyre pas operimit. Kanceri i mushkërive është shkaku kryesor i vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara si për burrat edhe për gratë. 222 mijë amerikanë diagnostikohen çdo vit me kancer në mushkëri.

Një artikull në revistën mjekësore “Lancet” sjell rezultatet e dy provave më të mëdha klinike të kryera ndonjëherë mbi gjenetikën molekulare të kancerit në mushkëri.

Studimet demonstrojnë se me anë të një analize gjenetike, shkencëtarët janë në gjendje të parashikojnë se cili prej tumoreve në shkallën e herëshme të zhvillimit do të rikthehet pas heqjes me operacion.

Shpresa është që kjo do t’i ndihmojë mjekët të vendosin se cilët pacientë me kancer në mushkëri në fazë fillestare do të kenë nevojë për kimoterapi pas operacionit, dhe cilët do të mjaftohen vetëm me ndërhyrje kirurgjike.

Të dyja studimet arritën në përfundimin se kjo analizë mund të parashikojë me saktësi nëse gjasat e vdekjes nga kanceri në mushkëri në fazë të herëshme janë të ulta ose të larta brenda 5 vjetëve nga koha e operimit.

Një nga autorët e studimit thotë se rezultatet janë “vërtetë inkurajuese për pacientët me kancer të mushkërive.”

XS
SM
MD
LG