Lidhje

Korrupsioni në FIFA


Ish-zëvendës presidenti i FIFA-s, Jack Warner, thotë se do t’u rrëfejë hetuesve gjithçka di për korrupsionin brenda organizatës qeverisëse të futbollit. Ndërkohë sipas të dhënave gjyqësore në SHBA, një ish-anëtar i komitetit ekzekutiv të FIFA-s, Charles Blazer, ka pranuar në nëntor 2013 të ketë marrë rryshfet për Kupat e Botës 1998 dhe 2010.

Zoti Blazer i tha një gjykatësi amerikan se ai dhe të tjerë në komitetin ekzekutiv të FIFA-s kanë pranuar rryshfete për përzgjedhjen e Francës si vendi organizator i Kupës së Botës 1998. Ai gjithashtu pranoi të ketë marrë ryshfet për Kupën e Botës 2010 të organizuar nga Afrika e Jugut.

Sipas një gazetari sportiv të agjensisë Associated Press, zoti Blazer mund të luajë një rol edhe më të madh në hetim.

“Ai nuk është dënuar ende. Ka premtuar tashmë të dorëzojë 1.9 milionë dollarë dhe se do të japë edhe një shumë tjetër kur të marrë dënimin. Në raste të tilla, zakonisht nuk jepet vendimi për sa kohë që çështja vazhdon të shtjellohet, pasi qeveritë synojnë të kenë bashkëpunim të vazhdueshëm nga dëshmitarët që kanë pranuar fajin në këmbim të një dënimi më të lehtë.”

Pranimi nga zoti Blazer për korrupsionin ku ka qenë i përfshirë, vjen një ditë pas dorëheqjes së papritur të Presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter. Sipas njoftimeve, ai është nën fokusin e prokurorëve federalë në SHBA dhe agjentëve të FBI-së. Gjatë mbrëmjes së djeshme, ish-zëvendës presidenti i FIFA-s, Jack Warner, mohoi të ketë marrë rryshfet për Kupën e Botës 2010.

“Nuk është e vërtetë. Afrika e Jugut nuk më ka dhënë 10 milionë dollarë rryshfet. Gjithçka kam, ka qenë përpara se t’i hyja politikës.”

Afrika e Jugut ka pranuar të ketë dhënë shumën, por për të ndihmuar futbollin në Karaibe, dhe jo për korrupsion. Zoti Warner mbajti një fjalim të titulluar “Pa doreza”, në Trinidad dhe Tobago mbrëmjen e djeshme, ku premtoi të bashkëpunojë me drejtësinë për të gjitha akuzat që po hetojnë autoritetet amerikane. Ai shtoi se gjithashtu zotëron dokumenta që provojnë përfshirjen e FIFA-s në zgjedhjet për qeverinë në Trinidad dhe Tobago në vitin 2010.

Ai i filloi këto deklarata publike vetëm pak ditë pasi një tjetër ish-zyrtarë i lartë i FIFA-s dhe katër drejtues futbolli iu paraqitën zyrtarisht akuzat për korrupsion. Sipas Departamentit të Drejtësisë, z. Warner është ndër një dyzinë zyrtarësh që menaxhonin një aktivitet kriminal me rryshfete prej 150 milionë dollarësh.

XS
SM
MD
LG