Lidhje

FIFA nuk pranon të flasë për gabimet e gjyqtarëve në ndeshjet e Botërorit

  • Zëri Amerikës

FIFA nuk pranon të flasë për gabimet e gjyqtarëve në ndeshjet e Botërorit

FIFA nuk pranon të flasë për gabimet e gjyqtarëve në ndeshjet e Botërorit

Federata Ndërkombëtare e Futbollit nuk ka pranuar të flasë për gabimet e gjyqtarëve në ndeshjet e Botërorit. Gabime të qarta në dy ndeshjet e djeshme të 1/8 së finales kanë bërë që të kërkohet përdorimi i video-teknologjisë për të ndihmuar arbitrat në marrjen e vendimeve.

Megjithatë, zyrtarët e FIFA-s nuk kanë pranuar të hapin debat për këtë çështje.Tifozët janë shokuar me vendimin e gjyqtarit për të mos lejuar një gol në ndeshjen Gjermani-Angli dhe më pas me lejimin e një goli nga pozicioni jashtë loje në ballafaqimin Argjentinë-Meksikë. Ndërkohë, vetë kreu i FIFA-s Sep Blater është kundër përdorimit të teknologjisë për të ndihmuar gjykimin e ndeshjeve.

Zyrtarët e FIFA-s nuk pranuan as të flasin e aq më pak të kërkojnë ndjesë për dy vendime kritike të gjyqtarëve që anuluan një gol të pastër dhe lejuan një tjetër që duhet të anulohej, në dy ndeshjet e djeshme të Botërorit.

“Sot, në këtë konferencë shtypi, nuk do të hapim kurrfarë debati lidhur me vendimet e arbitrave. Këtu nuk është vendi për një gjë të tillë dhe as unë e as kolegu im nuk jemi kompetentë për këtë punë.”

Veç kësaj, zëdhënësi i FIFA-s e quajti gabim rishfaqjen e rasteve të diskutueshme në ekranet e stadiumeve.

“E kam thënë edhe më herët se pamjet e rasteve të diskutueshme nuk duhet të përsëriten në ekranin e madh të stadiumeve,” tha zëdhënësi i FIFA-s.

Shikuesit tani kanë mundësinë të ndjekin ndeshjet e Botërorit si asnjëherë më parë, falë përparimeve më të fundit në teknologjinë televizive.

Por, teknologjia bashkëkohore akoma nuk është futur në përdorim për arbitrat në vendimet e tyre gjatë ndeshjeve.

Tifozët e Anglisë ishin të pakënaqur me vendimin e gjyqtarit për të mos lejuar golin e mesfushorit të tyre Frenk Lampard, ndonëse provat filmike dëshmuan se goli ishte i pastër dhe se topi e kaloi qartë vijën e bardhë pasi goditi shtyllën. Skuadra angleze më pas humbi ndeshjen me rezultat 4 me 1.

Mirëpo, ky nuk ishte i vetmi vendim kundërthënës. Në një tjetër rast, sulmuesi argjentinas Karlos Teves shënoi gol kundër Meksikës, ndërsa përsëritja e golit në ekranin e madh të stadiumit dëshmoi se ai kishte qenë në pozicion jashtë loje. Megjithatë, gjyqtari e lejoi golin për skuadrën argjentinase, e cila fitoi ndeshjen 3 me 1.

Ndërsa FIFA shpenzon shuma të mëdha për trasnmetimin e ndeshjeve, janë shtuar pyetjet se pse organi drejtues i futbollit botëror nuk lejon që teknologjia t’i ndihmojë gjyqtarët për të marrë vendime më të drejta.

Por, zëdhënësi i FIFA-s refuzoi të fliste rreth përdorimit të teknologjisë.

“Nuk do të flasim për teknologjinë, përdorimin apo mospërdorimin e teknologjisë sot. Për këtë çështje është debatuar shumë prej kohësh.”

Ai shtoi se FIFA ndjek direktivat e bordit ndërkombëtar të futbollit, i cili në mars të këtij viti vendosi kundër përdorimit të teknologjisë nga gjyqtarët gjatë ndeshjeve.

Kryetari i FIFA-s Sep Blater, i cili ndoqi të dy takimet e djeshme, është kundër përdorimin e teknologjisë televizive për të ndihmuar arbitrat.

Sidoqoftë, përparimet teknologjike janë futur në përdorim të paktën për transmetimin e ndeshjeve të Botërorit.

Një sistem i ri i kamerash ofron pamje më të detajuar nga fusha. Kameramani Feliks Eremejër shpjegon se si funksionon ky sistem:

“Kamerat na mundësojnë të kemi pamje të fushës nga lart; ato mund të lëvizin bashkë me topin, të pëlrcjellin goditjet në portë, të përcjellin lëvizjet dinamike, goditjet nga këndi dhe lëvizjet e shpejta.”

Ndërkaq, disa ndeshje të këtij Botërori po transmetohen edhe në teknologjinë e re tredimensionale dhe ky projekt është cilësuar si i suksesshëm nga ekspertët.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG