Lidhje

50 vjet nga vdekja e Uinston Çërçillit


“Kurrë moz u dorëzo”; “Nuk më shqetëson asnjëherë veprimi, por vetëm mosveprimi” dhe “Historinë e shkruajnë fitimtarët”. Këto janë vetëm disa nga frazat e famshme të ish-udhëheqësit të famshëm britanik Uinston Çërçill. Sot bëhen 50 vjet që nga vdekja e këtij burri shteti legjendar, i cili kujtohet për fjalimet e tij, mprehtësinë dhe rolin e tij qendror në fitoren e aleatëve ndaj Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Ai është tashmë një ikonë, i njohur për purot, fjalimet dhe vendosmërinë e palëkundur.

Sot, 50 vjet pas vdekjes, Uinston Çërçill kujtohet po aq ngrohtësisht sa edhe kur u nda nga jeta, madje ndoshta edhe më shumë.

Në qendër të Londrës, Dhomat e Luftës së Çërçillit janë ruajtur në një muze me besnikëri ashtu siç ishin në të vërtetë, në një bunker të kohës së luftës ku ai dhe kabineti strehoheshin.

Sipas drejtorit të Muzeut, Phil Reed historia e ka trajtuar mirë udhëheqësin e famshëm britanik.

“Me kalimin e kohës, vlerësimi për të rritet dhe pak nga pak njeh njeriun e vërtetë me gjithë gabimet dhe të metat e tij, i cili në një farë kuptimi u ngrit mbi të qenit një qenie njerëzore, duke merituar pa dyshim përcaktimin ‘madhështor’”.

Çërçilli u bë kryeministër në ditën kur Hitleri pushtoi Francën, më 10 maj 1940. Drejtori i Muzeut, Reed thotë se në atë kohë kabineti i tij i luftës, ose të paktën disa nga anëtarët e tij, po shqyrtonin një mundësi kompromisi me Hitlerin

“Pra, ne mund të kishim ndjekur atë rrugë nëse kryeministri Çërçill nuk do të kishte imponuar vullnetin e tij dhe nuk do të kishte thënë ‘Jo, asnjë kompromis, më mirë të jemi gati të humbasim’. Pra nëse dikush tjetër do të ishte në vendin e tij, një zot e di se çfarë përfundimi do të kishim pasur”.

Megjithëse ai e udhëhoqi Britaninë drejt fitores, Çërçilli kujtohet shpesh për fjalimet e kohës së luftës.

Ai e përdorte gjuhën shpesh si armë.

Në vitet e para të karrierës, Çërçill ishte gjithmonë pranë rrezikut. Ai ishte oficer ushtrie dhe korrespondent lufte.

Stërnipi i Çërçillit, Randolf Çërçill thotë se ai ishte kreu i qeverisë së koalicionit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ai gjithmonë thoshte se ishte ishte vendi dhe populli që e rrethonte që kishin një zemër luani, por roli i tij ishte t’i udhëhiqte dhe të fliste për ta. Dhe mendoj se njerëzit e kuptojnë sot se ai na nxorri nga koha jonë më e errët”.

Pas Luftës, dukej sikur karriera e Çërçillit kishte marrë fund, por ashtu siç kishte bërë edhe herë të tjera më parë, ai e rifilloi karrierën duke paralajmëruar për Perden e Hekurt që kërcënonte pjesë të Evropës.

Ai u rikthye si kryeministër nga viti 1951 deri në 1955 dhe mbeti anëtar i parlamentit deri në qershor 1964.

“Dhe 50 më pas, ai ka një vend të veçantë në zemrën e vendit", thotë stërnipi i tij.

Uinston Çërçill vdiq në moshën 90 vjeçare më 24 janar 1965.

Në funeralin shtetëror për nder të tij, morën pjesë 6 monarkë dhe 15 krerë shtetesh. Ai u varros në Pallatin Blenheim në Oxfordshire, aty ku edhe kishte lindur në 1874.

XS
SM
MD
LG