Lidhje

Filadelfia, pas tensioneve, rishfaqet uniteti në Kuvend


Me fjalë ndjese dhe apele, demokratët bënë çdo gjë të mundshme për ta kthyer nga mosmarrëveshje në unitet ditën e parë të kuvendit duke kërkuar një parti të bashkuar për fitore në nëntor.

Vonë në mbrëmje, kur senatori Vermont Bernie Sanders u shfaq, duartrokitje të zjarrta e mbajtën atë disa minuta pa folur. Delegatët që më parë kishin fishkëllyer në kundërshti ndaj mundësisë së një presidence për Hillary Clinton, duket se pranuan lutjet e zotit Sanders për ta mbështetur atë në vend të Donald Trumpit në zgjedhjet e nëntorit. Ata thërrisnin emrin e zotit Sanders së bashku me parulla të njohura nga mitingjet e fushatës edhe pse kandidatura e 74-vjeçarit Sanders nuk ka shpresa.

"Çdo vëzhgues objektiv do të arrijë në përfundimin se, në bazë të ideve të saj dhe udhëheqjes së saj, Hillary Clinton duhet të bëhet presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara", tha zoti Sanders.

Në sallën e kuvendit pati thirrje gëzimi, por kur zoti Sanders foli për një grup të mbështetësve të tij më parë, ai u ndesh me thirrje gëzimi e kundërshtimi pasi kërkoi që ata të bashkohen me zonjën Clinton.

Brezi i ri

Në një protestë jashtë sallës së kuvendit, qindra mbështetës të zotit Sanders zhvilluan një demonstratë që mund të merrej gabimisht si një protestë anti-Hillary, me demonstrues që thërrisnin e mbanin parrulla të ndryshme.

Kur mbetet vetëm një ditë para se kuvendi të emërojë zyrtarisht Hillari Clinton, shumë mbështetës të zotit Sanders ende nuk janë gati për të përqafuar këtë mundësi.

"Unë i jap Berniet një shans 100 për qind, derisa të mos mbetet asnjë përqind”, tha Desmond O'Regan nga Burbank, Kaliforni.

Në këndvështrimin e O'Reganit, Sanders ishte viktimë e udhëheqësve partiakë dhe sistemit të votimit të manipuluar në favor të zonjës Clinton.

"Ata ishin në favor të saj dhe jo të Berniet," tha ai. "Në zemrën time, unë besoj se ai ka fituar çdo garë. "

Shumë prej protestuesve kishte marshuar tërë ditën nga Bashkia në afërsi të qendrës së qytetit. Disa kishin ardhur në mbështetje të Jill Stein, kandidates presidenciale të Partisë Gjelbër, me platformë fushate shumë të ngjashme me zotin Sanders.

Demokratët janë të shqetësuar se edhe një mbështetje e vogël për kandidatët e një partie të tretë mund ta përmbysë bilancin në favor të zotit Trump. Por kjo është një mundësi që përkrahësit më besnikë të zotit Sanders janë të gatshëm të pranojnë.

"Unë nuk kam frikë nga Trump", tha Pat Straker nga Meadville, Pennsylvania, i cili mbante një tabelë ku shkruhej, "Bernie ose Jill, Kurrë Hillary ose Donald."

Edhe ai e pranon se vota e tij në shtetin e Pensilvanisë mund të ndihmojë t’i japë presidencën zotit Trump.

"Nuk më pëlqen Trumpi, por unë mendoj se Hillary është po aq e keqe sa Trump dhe unë nuk besoj në idenë se mes dy të këqijave, duhet të zgjedh të keqen më të vogël,” tha Straker.

Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat se fushata e zotit Sanders është ndërtuar në premtime jorealiste.

"Ne besojmë dhe luftojmë për t’i realizuar këto premtime,” tha ai.

Tensione në Kuvend

Në një SMS menjëherë pasi filloi kuvendi, zoti Sanders u kërkoi mbështetësve "si mirësjellje personale për mua të mos angazhoheni në asnjë lloj proteste më kuvend."

"Edhe mua më takon një vend këtu", tha një grua e re duke mbajtur lart pankartën "Bernie për President", ndërsa tërhoqi ankesa nga delegatët e Oklahomës.

Alex Hulvey, delegat nga Virginia, tha se ai ishte i sigurt se disa përkrahës të zotit Sanders do të largohet nga procesi. Por, për të, heqja e drejtueses së Komitetit Kombëtar Demokratik Wasserman Schultz për shkak të e-maileve ishte e mjaftueshme.

"Ne tashmë jemi duke parë një ndryshim në udhëheqje, dhe pikërisht këtë duhet të bëjmë, duke ndryshuar kryesinë e Partisë Demokratike që sistemi të mos manipulohet,” thotë zoti Huvley.

Ai tha se do të votonte për zotin Sanders në kuvend, dhe nuk do të angazhohet për mbështetjen e zonjës Clinton në nëntor.

Në fillim të procedurës, zyrtarët e Komitetit Kombëtar Demokratik ofruan një "ndjesë të thellë dhe të sinqertë ndaj senatorit Sanders, mbështetësve të tij dhe të gjithë Partisë Demokrate për komentet e pafalshme të bëra përmes emaileve."

"Debbie u hoq - ne tashmë po e dëshmojmë forcën tonë", tha Diane Lanpher, një delegate nga Vermonti, vendlindja e zotit Sanders.

"Ai është duke u përpjekur për të sjellë unitet", tha zonja Lanpher. Ajo është dakord me pasionin e përkrahësve të zotit Sanders.

"Unë dua që shkëndija e tyre të vazhdojë. Prandaj është e rëndësishme që revolucioni të vazhdojë - ata duhet të qëndrojnë të angazhuar,” shprehet zonja Lanpher.

Ndërsa delegatja nga Florida, Lucy Huyke Garner e pa rrëmujën e djeshme si një ngecje të përkohshme. Ajo tha se disa përkrahës të zotit Sanders nuk do të votojnë në vjeshtë që të mos hedhin votën për zonjën Clinton, "por unë nuk bëhem merak për ta. Ata kanë nevojë të kalojnë përmes kësaj periudhe vajtimi," tha zonja Garner.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG