Lidhje

Filip Riker: Deklaratat për heqjen e barrikadave duhet të pasohen me veprime konkrete

  • Ardita Simiçia

Filip Riker: Deklaratat për heqjen e barrikadave duhet të pasohen me veprime konkrete

Filip Riker: Deklaratat për heqjen e barrikadave duhet të pasohen me veprime konkrete

Është e pamundur të flitet për kontinentin evropian si një njësi e tërë, e lirë, demokratike dhe në paqe, pa zgjidhur sfidat me të cilat ndeshet Ballkani Perëndimor. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet parë edhe politika amerikane ndaj këtij rajoni, shprehet Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Filip Riker i cili dje zhvilloi një bisedë me një grup gazetarësh lidhur me politikat që ndjek Amerika ndaj Ballkanit Perëndimor.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker thekson se Shtetet e Bashkuara ndajnë me Bashkimin Evropian një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor – e ardhmja e rajonit është në radhët e BE.

“Ky është angazhimi i Shteteve të Bashkuara – qoftë për Serbinë, Kosovën, Bosnjen apo vende të tjera: synimi është të forcojmë paqen, të forcojmë demokracinë dhe stabilitetin. Këtë po e realizojmë me partnerët tanë evropianë”.

Për arritjen e kësaj perspektive, zyrtari amerikan thekson se rruga e vetme mbeten reformat dhe dialogu. Zoti Riker ndalet tek zhvillimet e fundit në Kosovë, ku thekson shqetësimin e përbashkët të anëtarëve të NATO-s lidhur me trazirat në veri të vendit:

“Ritheksoj se përdorimi i dhunës kundër KFOR-it është krejtësisht i papranueshëm. Ne dënojmë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit përshëndeti deklaratën e Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, që bëri thirrje për largimin e barrikadave në kufirin e Kosovës me Serbinë:

“Kishin kërkuar prej muajsh që Beogradi të bënte një deklaratë sa më të drejtpërdrejt kundër dhunës dhe e përshëndesim këtë deklaratë dhe ashtu siç u shpreh Këshilli i Atlantikut Verior, tani presim veprime konkrete nga autoritetet serbe”.

Zoti Riker shprehet gjithashtu optimist që palët janë rikthyer në bisedime, si i vetmi forum funksional për të zgjidhur mosmarrëveshjet:

“Aktualisht Kosova dhe Serbia kanë një mundësi konkrete për të diskutuar me mbështetjen e ndërmjetësit të BE dhe për të gjetur mënyra për të përmirësuar jetët e popullatës së tyre, sidomos të serbëve në veri. Janë arritur një numër marrëveshjes në këtë proces, por zbatimi i marrëveshjeve është një pjesë kritike e këtyre marrëveshjeve. Këtë e theksoi edhe presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rumpuy. Jemi optimistë që palët janë ulur në dialog, kjo është rruga përpara, jo dhuna”.

Zoti Riker vlerëson qëndrimin e deritanishëm të Prishtinës zyrtare, por u bën thirrje autoriteteve qendrore në Kosovë të bëjnë më shumë për të integruar pakicën serbe në veri:

“Ata duhet të përqendrohen edhe në politika për t’i zgjatur dorën e bashkëpunimit serbëve në veri, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se çfarë ofron qeveria e Prishtinës dhe në këtë mënyrë të eliminojë disa prej shqetësimeve të popullatës në veri. Për momentin jemi të përqendruar në përpjekjet e dialogut dhe për konkluzionet e Këshillit Evropian, që do të pasqyrojë në një masë të madhe edhe përpjekjet në dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit e pranon se mbeten sfida të mëdha për rajonin, por u kundërvihet me ngulm analizave pesimiste të gjendjes në Ballkanin Perëndimor. Vetëm dy dekada më parë, tha ai, shumë nga këto vende ishin të përfshira në konflikte të përgjakshme në shkallë të gjerë dhe tani i gjithë rajoni ka përpara një perspektivë të qartë evropiane.

XS
SM
MD
LG