Lidhje

Filipine, lufta kundër drogës nxit reagimin e OKB-së


Ministri i Punëve të Jashtme i Filipineve, Perfecto Yasay tha se vendi i tij do të qëndrojë në Kombet e Bashkuara, duke minimizuar një kërcënim të lëshuar nga Presidenti Rodrigo Duterte. OKB-ja ka shprehur shqetësim për numrin e madh të viktimave në luftën kundër drogës në Filipine, duke nxitur një reagim të ashpër nga presidenti i ri i këtij vendi, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do ta pastronte vendin nga drogat.

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte kërcënoi të dielën për dalje nga OKB-ja në përgjigje të kritikave të saj ndaj fushatës së tij kundër trafikut të drogave. Mes zyrtarëve që kanë kritikuar Filipinet për këtë çështje është edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Ministri i jashtëm filipinez, Perfecto Yasay tha sot se deklarata e presidentit Duterte shprehu vetëm "pakënaqësinë e tij të thellë me OKB-në."

"Në këtë rast të veçantë ju mund ta kuptoni zhgënjimin që vetë presidenti e ka shprehur për këtë çështje. Lufta kundër drogës nuk është vetëm një çështje e brendshme urgjente, ajo është në fakt një çështje kritike që shumë organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, janë zotuar për ta çrrënjosur".

Javën e kaluar, zoti Duterte dënoi ashpër kritikat e OKB-së ndaj përpjekjeve të tij në luftën kundër trafikantëve të drogës.

Të paktën një mijë trafikantë të dyshuar të drogës janë vrarë që kur presidenti Duerte mori detyrën në muajin qershor.

Presidenti Duerte gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do ta pastronte vendin nga drogat e paligjshme dhe trafikantët.

XS
SM
MD
LG