Lidhje

Fillon shërbimi i trenave me shpejtësi të lartë në Itali


Italia nisi shërbimin e parë privat në Evropë të trenit me shpejtësi të lartë, ndërkohë që vendi hedh hapa drejt një ekonomie më liberale. Kjo mund t’i bëjë vende të tjera evropiane që të ndjekin shembullin e Italisë duke privatizuar sistemet e tyre të transportit hekurudhor, gjë që do të krijonte vende të reja pune dhe do të shtonte konkurrencën në treg.

Trenat e rinj “Italo” në formë plumbi mund të udhëtojnë me një shpejtësi maksimale prej 360 kilometrash në orë. Ata administrohen nga kompania NTV, e drejtuar nga shefi i Ferrarit Luca di Montezemolo, e cila investoi 1 miliardë euro.

Montezemolo thotë se arritja e vërtetë ishte liberalizimi që projekti solli në transportin hekurudhor italian.

"Më në fund qytetarët italianë dhe udhëtarët e huaj do të jenë në gjendje të zgjedhin dhe kështu merr fund një nga monopolet më jetëgjatë të vendit tonë."

Zoti Montezemolo thotë se pasagjerët do të përfitojnë nga konkurrenca. Kompania e tij synon që brenda vitit 2014 të marrë një të katërtën e tregut nga rrjeti i hekurudhës shtetërore Trenitalia, që është edhe punëdhënësi më i madh në vend.

Ekspertë të transportit thonë se pavarësisht nga kohërat e vështira ekonomike, treni i ri mund të jetë një zhvillim pozitiv. Profesor Matteo Caroli jep mësim në universitetin LUISS të Romës.

"Ne jemi ende sistemi i dytë i prodhimit në Evropë pas Gjermanisë dhe unë mendoj se ajo që po ndodh me sistemin hekurudhor është një shembull i fuqisë së industrisë tonë. Ne kemi probleme financiare thelbësore, ashtu si vendet e tjera evropiane, por konkurrenca e kompanive tona është e fortë."

Ky projekt është një shembull i ambicieve të reja të ekonomisë italiane - e treta më e madhe në eurozonë – nën drejtimin e kryeministrit Mario Monti. Zoti Monti është përpjekur të vërë në lëvizje një ekonomi të ngadaltë, e cila është e ndikuar kryesisht nga tradita proteksioniste.

Kompania NTV do të ketë 25 trena të marrë prej kompanisë franceze shumëkombëshe Alstom.

Drejtori Menaxhues i Alstom-it Pierre-Louis Bertina.

"Ky tren është gjenerata e katërt e trenave për Alstom. Pra, është e vërtetë më i miri, dhe nuk ka teknologji tjetër si kjo askund në botë."

Trenat kanë mjedise të brendshme mjaft të hijshme - me ndenjëse lëkure, dritare të mëdha panoramike dhe një vagon kinema. Ata kanë tri klasa të ndryshme udhëtimi - duke u dhënë mundësi udhëtarëve të zgjedhin atë që i përshtatet më mirë nevojave e tyre dhe se sa ata duan të shpenzojnë. Giuseppe Bonollo i kompanisë NTV thotë se cilësia e shërbimit është karakteristikë dalluese.

"Brenda ka teknologji të lartë, internet, falas për të gjithë udhëtarët dhe përveç kësaj – dhe kjo është me të vërtetë hera e parë në botë – udhëtarët kanë mundësi që nëpërmjet kompjuterave të tyre të lidhen me kanale televizive satelitore."

Në stacionin Termini Romës, shumë udhëtarë prisnin me padurim nisjen e trenit të ri me shpejtësi të lartë.

Për trenat “Italo” është miratuar një politikë agresive çmimesh, e cila parashikon ulje për biletat e rezervuara paraprakisht. Ndërkohë, rrjeti hekurudhor shtetëror tashmë ka ulur çmimet e biletave të tij dhe ka përmirësuar shërbimin.

Shtetet e tjera evropiane do të vëzhgojnë me kujdes, për të kuptuar nëse është apo jo në interesin e tyre të ndjekin shembullin e Italisë.

XS
SM
MD
LG