Lidhje

Fillon shkëmbimi i aksioneve të Facebook-ut


Facebook, rrjeti më i madh i medias sociale në botë hodhi sot për herë të parë në treg për publikun aksionet e kompanisë. Çmimi i tyre u rrit me shpejtësi nga 38 dollarë për aksion, në mbi 40 dollarë.

Presidenti dhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, sinjalizoi këtë hap të kompanisë, duke hapur simbolikisht bursën e Nasdaq-ut në New York, në distancë nga selia e Facebook-ut në Kaliforni.

Facebook që ka 900 milion përdorues në gjithë botën, grumbulloi 16 miliardë dollarë nga shitja e aksioneve në bursë. Është një nga shkëmbimet më të mëdha të bursës në historinë e korporatave amerikane, e krahasueshme vetëm me kompaninë e shërbimeve financiare Visa dhe prodhuesin e makinave General Motors.

Vlera e firmës Facebook arrin kështu në të paktën 104 miliardë dollarë, duke u bërë një prej firmave me vlerën më të lartë në Amerikë.

Zuckerberg që mbushi 28 vjeç këtë javë e hapi rrjetin e njohur, tetë vjet më parë në dhomën e konviktit në Harvard.

Investitorët që blejnë aksionet e Facebook-ut, bëhen pjesërisht pronarë të kompanisë, por Zuckerberg do të vazhdojë të ketë nën kontroll 55 për qind të aksioneve.

Një pjesë e analistëve paralajmërojnë investitorët e thjeshtë që të presin të mos nxitojnë të blejnë akssione në ditët e para pasi çmimet e tyre mund të jenë ngritur për shkak të zhurmës që bëhet për to. Në të kaluarën, aksionet e firmave të njohura teknologjike kanë pësuar rënie pas ditëve të para. Por ka edhe shembuj si firma Google, që fillimisht u prit me dyshim kur doli në bursë në vitin 2004. Fillimisht çmimi i aksioneve të saj ishte 84 dollarë. Sot një aksion i firmës Google ka arritur në mbi 600 dollarë.

XS
SM
MD
LG