Lidhje

Film dokumentar për sfidat e gazetarisë tradicionale

  • Penelopi Paulu

Film dokumentar për sfidat e gazetarisë tradicionale

Film dokumentar për sfidat e gazetarisë tradicionale

Filmi "Page One: A Year Inside The New York Times" është një dokumentar rreth problemeve që ndesh një nga gazetat më të mira amerikane në një kohë kur lajmet dhe informacioni përhapen me shpejtësi në Internet. Regjsori, Endru Ros ka ndjekur punën e gazetarëve dhe ka nxjerrë në pah se si gazeta po përpiqet të përballojë sfidat e medias sot. Filmi i Rosit u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance këtë vit. Ai nuk tregon vetëm përpjekjet e gazetës për të mbijetuar, por hap edhe diskutimin për sfidat që ka përballë shtypi në përgjithësi.

Kur organizatat e lajmeve nxitonin të botonin kohët e fundit njoftime për dokumentet e Wikileaks për të burgosurit në Gjirin Guantanamo, ato u ndeshën edhe një herë me shpejtësinë e faqeve të Internetit të mbushura me materiale të paredaktuara.

Endru Rosi, regjisori i dokumentarit "Page One: A Year Inside The New York Times", analizon median dhe paralajmëron se cunami i informacionit dixhital mund të sjelli fundin edhe të një prej gazetave më të respektuara.

"...dhe veçanërisht është bërë kërcënim ndaj gazetarisë tradicionalisht investigative dhe gazetarisë si ajo e institucioneve të tilla si The New York Times".

Rosi argumenton se përhapja e informacionit në Internet mund të bëhet kërcënim për gazetarinë cilësore.

"Mendoj se idea e demokratizimit të rrjedhës së infomacionit është entusiazmuese, por sfera e blogut nuk tregon gjithmonë kujdesin për saktësi që tregojnë redaktorët dhe shkrimtarët në paraqitjen e informacionit”.

Rosi thotë se informacioni në Internet i ka mbytur gazetat nëpër botë dhe ka patur gjithashtu ndikim edhe në vetë gazetën The New York Times. Tirazhi i shitur i gazetës ka rënë, po ashtu edhe të ardhurat nga reklamat. Disa gazetarë janë pushuar nga puna dhe si rezultat përmbajtja mund të cënohet. Por Emi Aisman, profesore e Universitetit Amerikan, nuk është dakord.

"Le të shohim se çfarë ndodhi në Japoni, gjithë ky shkatërrim. Në fakt, gjatë dy muajve të fundit, bota ka kaluar nëpër disa ndryshime gjeofizike, politike dhe ekonomike që nuk i kishim shikuar kurrë më parë. Tani kemi më shumë burime informacioni dhe nga këto burime nuk do të kishim dëgjuar më parë”.

Aisman beson se pavarësisht se çfarë ndodh me gazetat, gazetaria e mirëfilltë do të vazhdojë.

"Do të shikojmë më shumë gazetarë të pavarur. Ata mund të tërheqin shumë njerëz për t’i financuar të shkojnë në Irak dhe ata do t’ia shesin artikujt e tyre Zërit të Amerikës apo The New York Times, ose ndonjë universiteti”.

Pol Sperou, zv/president i transmetimeve në Newseum në Uashington DC, thotë se zyrat e lajmeve duhet të kenë reporterët e tyre.

"Duhet paguar gazetari në zonën e luftimeve. Duhet paguar gazetari që mbulon punën e këshillit të qytetit apo mbledhjet e komisionit të planifikimit ndërtimor. Kjo është sfida që ndeshin tani mediat tradicionale, të mbështesin zyrat e tyre të lajmeve dhe gazetarët në terren, ndërkohë që të ardhurat janë në rënie”.

Sperou thotë se deri tani, emra të tillë si The New York Times, kanë konkuruar jo vetëm me rrjedhën masive të informacionit, por edhe informacionin pa pagesë në Internet. Kohët e fundit, The New York Times filloi abonimin për leximin e gazetës në Internet. Sipas lajmeve, rreth 100 mijë njerëz janë abonuar, por kjo shifër nuk është e mjaftueshme për të siguruar të ardhurat që i duhen gazetës.

"Çështja me pagesën qendron në faktin nëse ia vlen të paguash për të lexuar informacionin. Dihet se po ta marrësh këtë informacon nga burime të njohura, ai është i verifikuar, i saktë dhe i besueshëm. Vihet re një periudhë kalimtare, ndërkohë që publiku mëson më shumë për çështje të tilla si besueshmëria apo saktësia dhe i largohet tundimit për ta marrë informacionin falas”.

Megjithatë, këto janë zhvillime që mbeten për t’u parë.

XS
SM
MD
LG